Sot, në fshatin Dobërçan, në 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës, me dhembje dhe krenari u përkujtua data e kobshme e 13 qershorit të vitit 1999, datë në të cilën ra dëshmorë për lirinë e Kosovës, Mulla Nusret (Fejzullah) Hajdari, për të kaluar në pavdekësi.
Hoxhë Nusreti, u lind më 1 tetor 1968 në fshatin Dobërçan të Gjilanit, në një familje me traditë kombëtare e fetare. Të parët e tij janë me origjinë prej fshatit Çarr të Malësisë së Bujanocit, të cilët u shpërngulën në fshatin Dobërçan të Gjilanit në vitet e ’50-ta. Gjyshi i tij, haxhi Sylejmani, njihej si prijës i fisit, pajtimtar i gjaqeve, patriot dhe luftëtar vullnetar në mbrojtjen e kufirit kombëtar të Kosovës Lindore, si dhe nxënës i hoxhës me nam të madh në Malësinë e Hashanisë, Mulla Hasan Masuricës.
Mulla Nusret Hajdari, shkollën fillore e kreu në vendlindjen e tij, në Dobërçan, ndërsa në vitin shkollor 1988/1989, mbaroi medresenë e mesme ‘’Alaudin’’ në Prishtinë. Pas mbarimit të medresesë u angazhua për një kohë të shkurtër në detyrën e imamit dhe vaizit në xhaminë e fshatit Pogragjë, pastaj për rreth një viti, u emërua imam në xhaminë ‘’Atik’’ të Gjilanit, ndërsa, që nga viti 1992, merr detyrën e imamit të rregullt në xhaminë e poshtme të fshatit Dobërçan, të cilën e kreu me nder dhe përgjegjësi, deri në rënien e tij, me 13 Qershor 1999, duke qëndruar stoikisht në detyrën dhe përgjegjësinë që i përkiste një prijësi të popullit.
Hoxhë Nusreti, si duket kishte ndjekur idealet e atdhetarit të madh Mulla Idriz Gjilanit, i cili dikur moti pati thënë se: ‘’ Pa një Atdhe të lirë, feja nuk mbahet, nuk mund të ushtrohet’’, andaj edhe angazhimi i tij në kohët më të vështira për popullatën e fshatit tonë ishte për t’u dalë në mbrojtje dhe t’i përmbushë detyrat që i takojnë një prijësi të devotshëm kombëtar e fetar, ashtu siç ishte Ai. Kjo veprimtari patriotike e hoxhë Nusretit, u kishte penguar armiqëve serbë, andaj edhe e vranë në krye të detyrës, me 13 Qershor 1999, kur e panë se nuk tërhiqej dot nga angazhimi dhe idealet e tij dhe të shokëve me të cilët angazhoheshin së bashku.
Në momentet kritike, së bashku me hoxhë Nusretin, ishte edhe mësuesi Basri Bislimi, i cili mbeti i plagosur së bashku me kushëririn e hoxhës, Hafiz Hajdari, si dhe rrahën e malltretuan aktivistin Hamdi Kastrati, haxhi Januz Hajdarin. Dhuna dhe malltretimet e paramilitarëve serbë vazhdoi edhe në disa familje të tjera në fshat, ndër ta edhe në familjen e Mefail Xhelilit, të cilët edhe sot jetojnë në afërsi të shtëpisë ku u vra hoxhë Nusreti. Ndërsa, shumica e banorëve të Dobërçanit, atë ditë ishin detyruar të lëshonin shtëpitë e tyre dhe të strehoheshin në male e nga aty, pjesa më e madhe kaluan në fshatin e afërt, në Malishevë, për t’i shpëtuar ndonjë masakre që do të mund të vazhdonin serbët në largim e sipër.
Në të njëjtën ditë, kur forcat militare e paramilitare serbe e sulmuan Dobërçanin gjatë tërheqjes së tyre për andej nga kishin ardhur si pushtues shekuj më parë, ata dogjën edhe xhaminë e epërme të fshatit, e cila ishte njëra ndër xhamitë më të vjetra të Kosovës, e ndërtuar rreth vitit 1527.
Hoxhë Nusreti u varros të nesërmen, më 14 qershor 1999, në kushte të jashtëzakonshme dhe pa ndonjë ceremoni të madhe në oborrin e xhamisë ku kishte shërbyer për vite me radhë, për shkak se situata ende ishte e me plot rreziqe dhe nuk kishin lejuar që pjesëmarrja në ceremoninë e varrimit të ishte e madhe dhe se ceremonia duhej të kryhej duhej të kryhej sa më shpejtë.
Hoxhë Nusreti, ka lënë pas vete djalin e tij Shuajbin, i cili tashëmë ka dy djem, njëri prej të cilëve me krenari e mbanë emrin Nusret, emrin e gjyshit të tij, që dha jetën për lirinë e Kosovës.
Banorët e fshatit Dobërçan, në krye me shoqatën e bashkatdhetarëve tanë në Zvicer e kudo në Diasporë, shoqata 17shkurti.ch, në shenjë mirënjohje dhe respekti për jetën dhe veprën e Mulla Nusretit, i kanë ndërtuar një shtëpi djalit të tij Shuajbit, i cili edhe sot jeton aty me familjen e tij.
Sot, më 13 Qershor 2020, në 21 vjetorin e rënies së Mulla Nusretit, familjen Hajdari e vizitoi kryetari i komunës së Gjilanit, së bashku me nënkryetarin dhe bashkëpunëtorët e tjerë. Ndërsa, banorët e Dobërçanit, si dhe miq e dashamirë të hoxhë Nusretit e të familjes Hajdari, mbas faljes së namazit të drekës në xhaminë ku kishte shërbyer hoxha, në oborrin e së cilës është varrosur, e përkujtuan me lutje drejtuar Zotit, që hoxhën tonë të nderuar ta pranojë në mesin e të gjithë dëshmorëve që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës!
Lavdi jetës dhe veprës së Mulla Nusret Hajdarit!
Lavdi të gjithë dëshmorëve që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë e Kosovës!
(Disa pjesë nga ky shkrim janë marrë nga monografia në dorëshkrim për Mulla Nusret Hajdarin, nga autori i këtij shkrimi)
Rexhep H. Arifi,