Në tri ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 160 raste të infektuarve me COVID-19, kurse 32 persona janë shëruar. ndërsa dy persona të infektuar kanë humbur jetën në dy ditët e fundi.
Rritja alarmante e numrit të prekurve me coronavirus në tri ditët e fundit, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, është shqetësuese dhe tregon përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të shkuarjes drejt humbjes së kontrollit.
IKSHPK thotë se që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mos mbajtjes së distancës dhe mos mbajtjes së maskave.
“Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet krahasohen me mesin e muajit prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike e private, si Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeria e Arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregtare dhe biznese private, rekomandojmë Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim, ndërsa BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!”, thuhet në njoftimin e IKSHPK.
Më tek IKSHPK thotë se “këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajten e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike.”
“Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”.
“Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar”.
Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme sipas planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.
“IKSHPK e kupton shqetësimin e secilit qytetar për statusin e gjendjes së tij shëndetësore kur ata rezultojnë pozitiv në SARS CoV-2, por qytetarët duhet ta marrin seriozisht apelin tonë për t’i zbatuar me përpikëri rekomandimet dhe bartjen e maskave në vende ku ka grumbuj njerëzish dhe nuk mund të mbahet distanca nën 2 m”.
“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”.
“Duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve për shërbime shëndetësore, bëjmë apel te punëtorët shëndetësor t’iu përmbahen rekomandimeve të IKSHPK në aplikimin e masave mbrojtëse duke ruajtur kështu shëndetin e tyre, të pacientëve dhe të gjithë qytetarëve të vendit”, thuhet në apelin e IKSHPK.
“Përpjekja e madhe e përbashkët e derisotme mund të na shkojë huq për shkak të pakujdesisë së mos përmbajtes së tri rregullave themelore, të cilat duhet të jenë përditshmëri e jona edhe pa pandemi, e që nënkupton: mbajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve me kujdes disa herë në ditë, për 20-30 sekonda”.
“Këta numra të këtyre ditëve flasin shumëçka. Këta numra tregojnë përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të shkuarjes drejt humbjes së kontrollit, si dhe drejt mbingarkimit pastaj të institucioneve shëndetësore, gjegjësisht të Klinikës Infektive ku fatkeqësisht personat me sëmundje shoqëruese dhe të moshuarit mund të përfundojnë fatalisht.
Kjo ndodhë për shkak të grumbullimit të madh të njerëzve, për shkak të përfshirjes pastaj të njerëzve të moshave të ndjeshme të moshuara, për shkak të përfshirjes së njerëzve me sëmundje kronike të cilët nuk janë të mbrojtur, sepse fatkeqësisht për këtë sëmundje ende nuk ka terapi dhe parandalim me vaksinë dhe e vetmja mundësi e parandalimit është përmbajtja e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhen në njoftim.
“Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve”.
“Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët. Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe të merren masa
përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar”.
“Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve”.
“Çdo hap që bëjmë përpara, bartë edhe rrezikun me vete derisa virusi është ende në mesin tonë. Të kujdesimi dhe ta ruajmë këtë situatë të qëndrueshme duke pasur parasysh situatën më të rënduar epidemiologjike në shumë shtete të botës”, thuhet në njoftimin e IKSHPK, duke apeluar te qytetarët të mbajë distancën fizike dhe maskat!
Që nga përhapja e pandemisë, në Kosovë janë regjistruar 1,486 raste me COVID-19, ndërsa të shëruar 1,183 dhe të vdekur 33.