Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur para gazetarëve pas takimit me kryeministrin, Avdullah Hoti.
Thaçi tha se me Hotin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë por edhe për procesin e dialogut me Serbinë i cili është paralajmëruar se do të nisë së shpejti.
Duke folur rreth procesit të dialogut, Thaçi ka thënë se është një javë e rendesishme për vendin, pasi pritet hapja e proceseve konkrete nga SHBA-ja.
“Ne jemi në një javë të rëndësishme për vendin dhe Ballkanin Perëndimor, kur pritet hapja e proceseve konkrete edhe nga SHBA-ja, nga ambasadori Grennell dhe paralajmërimi i vizitës së Lajçakut në Kosovë, do të punojmë ngushtë me njëri-tjerin si president dhe kryeministër por edhe me Kuvendin dhe të gjitha partitë tjera politike që të jemi të përgatitur”, ka thënë Thaçi pas takimit para gazetarëve.
Sa i përket vizitës së të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, presidenti i vendit tha se Lajçaku duhet ta respektojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe se pretendimet për të hapur çështje teknike, përveç njohjes reciproke, nuk janë të mirëseardhura.
“Ne duam të arrijmë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, në këtë drejtim gjithçka është e qartë, do të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovë”.
“Nuk jam i infomuar për agjenden e vizitës së Lajçakut në Kosovë, nuk është koha që të hapen çështje teknike apo me pretendime për normalizim të mardhënieve Kosovë – Serbi, Lajçaku duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, nëse vjen me këtë objektiv dhe me këtë çasje që duhet të përbyllet ky proces me njohje reciproke, është i mirëseardhur, çdo qasje tjetër është një qasje lirisht mund të them e dështimit të tij të plotë në Kosovë dhe e BE-së”, ka thënë Thaçi.
Në lidhje me atë se kush do ta udhëheqë dialogun në Bruksel, Thaçi ashtu edhe si kryeministri Avdullah Hoti, i është referuar Kushtetutës së vendit.
“Ne e kemi Kushtetutën dhe përmes saj janë të përcaktuara përgjegjësitë institucionale. Ne nuk jemi në garë me njërin-tjetrin ne do ulemi bashkë, gara jonë është me Serbinë, uroj që ky proces të jetë shumë dinamik dhe energjik”, ka shtuar ai.