Mbrëmë dolën 96 raste pozitive me coronavirus, kurse 87 persona u shëruan.
IKSHP ka njoftuar se numri total i rasteve pozitive është 2590 raste nga 23.137 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 48 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1.394 raste, kurse raste aktive 1.148, shkruan Reporteri.net.
IKPSH edhe mbrëmë bëri thirrje për zbatimin e rekomandimeve që qytetarët të ruajnë veten, të afërmit dhe të tjerët.
“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, është apeli i IKSHP-së.
IKSHP thotë se inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.