Vendimi i institucioneve të vendit për hapje të plotë, ka rezultuar me një rritje të madhe të personave të infektuar me COVID-19 në Kosovë.
Në një tabelë të cilën e ka publikuar edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, në të cilën jepen të dhënat e infektimeve nga data 12 deri më 26 qershor, Kosova renditet në vendin e tretë pas Suedisë dhe Maqedonisë për numrin e të infektuarve për 100 mijë banorë.
Osmani thotë se shifra të tilla tregojnë se Kosova nga një storie e mposhtjes së virusit tashmë renditet në top treshe për shtimin e rasteve të infektimeve me COVID.
“Rritja e konsiderueshme, kërkon vëmendjen urgjente të Qeverisë dhe përkushtimin e të gjithëve në respektimin e udhëzimeve”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në twitter.
Lidhur me shtimin e rasteve sot ka folur edhe kryetari i Qeverisë, Avdullah Hoti. Ai ka thënë se Qeveria do të detyrohet që të kthejë vendin në izolim të plotë në rast se vazhdon shtimi i rasteve në mënyrë rapide.