Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në nderim të viktimave të Srebrenicës ka marrë vendim që nesër në ora 13:00, të mbahet një minutë heshtje në gjithë Kosovën.
Kryeministri Hoti ka pritur sot në takim përfaqësuesit e komunitetit boshnjak të Kosovës, bashkë me kryetarin e koalicionit VAKAT, Rasim Demiri. Ky takim u mbajt në prag të 25-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe vranë 8.372 civilë boshnjakë.
Hoti tha se tragjedia e Srebrenicës nuk mund të harrohet asnjëherë.
Kryeministri i vendit ka kërkuar që për nder të viktimave të masakrës së Srebrenicës, nesër nga ora 13:00, në të gjithë Kosovën të mbahet një minutë heshtje, njofton zyra për shtyp e kryeministrit.
Duke folur për pandeminë COVID 19, Hoti shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që ta ndihmojë komunitetin boshnjak të Kosovës, por edhe të Sanxhakut për ta përballuar këtë sfidë të rëndë.