Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar sot në lexim të parë Projektligjin nr. 07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.
Ministria e Financave falënderon deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për mbështetjen e tyre për projektligjin për rishikimin e buxhetit 2020 dhe kërkon që projektligji të procedohet sa më shpejt në komisione parlamentare në mënyrë që i njëjti të sillet në Kuvend për votimin përfundimtar.
Mes tjerash Ministria e Financave njofton se menjëherë pas miratimit të projektligjit në leximin e dytë dhe hyrjes së tij në fuqi, do të krijohet mundësia ligjore për ekzekutimin e pagesave të mbetura për të gjithë përfituesit nga pakoja emergjente fiskale të cilët janë në pritje dhe të gjitha ndarjeve tjera buxhetore.
Po ashtu Ministria e Financave fton për durim të gjithë përfituesit dhe shpreh zotimin e plotë se ekzekutimi i pagesave do të realizohet në mënyrë të menjëhershme sapo projektligji për buxhetin e rishikuar të hyjë në fuqi.