Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë ka vdekur edhe një pacient i prekur me koronavirus.
Viktima është 67-vjeçar dhe ka pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Lajmin e ka bërë të ditur spitali përmes një njoftimi në Facebook.
“Fatëkeqësisht një pacient 67 vjeçar i shoqëruar edhe me sëmundje tjera ka vdekur. Spitali I Përgjithshëm në Pejë shpreh ngushëllime për familjarët”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Pejës.
Kujtojmë se, kjo është viktima e 131-të nga COVID-19 në Kosovë, pasi që Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik gjatë ditës së djeshme ka njoftuar për 130 viktima të këtij infeksioni.
Që nga fillimi pandemisë e deri më sot, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 5 mijë e 617 raste pozitive me koronavirus, prej tyre 2 mijë e 811 janë shëruar, ndërsa 2 mijë e 676 janë ende raste aktive.