Të dielën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi se në 24 orët e fundit 13 veta humbën jetën duke e çuar në 249 numrin e viktimave nga koronavirusi.
Brenda kësaj periudhe janë konfirmuar edhe 245 raste të reja të të prekurve nga 468 të testuar.
Numri i lartë i të infektuarve me COVID-19 dhe i rasteve te vdekjeve nga pasojat e tij kanë ngritur shqetësimin e ekspertëve shëndetësorë.
Mikrobiologu Lul Raka që njëherësh udhëheq edhe bordin këshillëdhënës për Covid-19 thotë se me rastet e rritjes aktuale kapacitetet shëndetësore të Kosovës janë rrezikuar seriozisht.
“Rreziku kryesor është tejkalimi apo mbingarkesa e kapaciteteve edhe menaxhueshmëria e numrave aktual nga institucionet shëndetësore të Kosovës që merren drejtpërdrejt me menaxhimin e pacientëve me COVID qoftë në QKUK qoftë në spitale të përgjithshme në Kosovë”, tha Raka për Zërin e Amerikës.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike çdo ditë kryen rreth 400 deri në 500 teste për Covid, prej të cilave një numër shumë i lartë dalin pozitiv me virus.
“Do të vërtetohej edhe në laborator që kemi përhapje masive edhe kjo me vet faktin që ndoshta testime më shumë nuk kemi bërë mirëpo numri i hospitalizimeve dhe numri i vdekjeve janë tregues tjetër rezervë që tregojnë se ky është reflektim i përhapjes masive në komunitet. Ngritja dhe mbingarkesa e kapaciteteve është treguesi më i mirë edhe numri i madh i vdekjeve që po ndodh çdo ditë janë tregues të përhapjes masive në komunitet”, tha ai.
Kosova ka regjistruar rastet e para me COVID-19 në mesin e muajit mars dhe që nga ajo kohë janë prekur 8 mijë e 799 veta, gjysma prej të cilëve tashmë janë shëruar ndërsa 3 mijë e 687 mbeten raste aktive.
Autoritetet po bëjnë thirrje për kujdes pasi që sipas tyre spitalet e Kosovës po përballen me mbingarkim të kapaciteteve pasi që aktualisht Kosova ka rreth 700 shtretër për të trajtuar të sëmurët me COVID-19.
Zoti Raka flet për këshillat që bordi i tij u ka dhënë institucioneve të Kosovës për të përballur situatën aktuale.
“Rekomandimi i parë ka qenë që urgjentisht të miratohet ligji antiCOVID sepse e kemi parë që një prej faktorëve shumë të rëndësishëm të rritjes së numrave përveç moszbatimit të masave të thjeshta nga qytetarët e Kosovës është po ashtu mbikëqyrja ose kontrolle strikte e institucioneve shtetërore për ta adresuar këtë problem”, tha zoti Raka.
Por, Raka shprehet kundër thirrjeve që të mbyllet tërësisht vendi për të parandaluar përhapjen e virusit.
“Ajo është opsioni i fundit edhe përderisa ka opsione tjera të shfrytëzimit të instrumenteve shtetërore mendoj që ajo nuk është aspak zgjidhje për momentin sepse do të shkaktonte shumë dëme dhe situatën nuk do ta përmirësonte kurdo pas lirimit të masave ose pas lirimit tillë nëse vazhdon ky trend dhe nuk ka mbikëqyrje strikte atëherë do të jenë të njëjtit numra”, tha ai.
Zoti Raka thotë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë përgatitjet për sezonin e vjeshtës pasi që me rastet aktuale të të prekurve nga koronavirusi dhe gripet sezonale do të mund të përkeqësojnë situatën dhe të dëmrtojnë mundësitë edhe ashtu të kufizuara të institucioneve shëndetësore.