Pjesëtarët e Policisë së Kosovës që nga përhapja e pandemisë COVID-19 së bashku me doktorët kanë qenë në vijën e parë të “fronit”.
Kontaktet e policëve me shumë qytetarë e zyrtarë shtetërorë, në zbatim të masave të menaxhimit të pandemisë, kanë bërë që një numër i madh i tyre të infektohen me COVID-19 e ka pasur prej tyre që edhe kanë humbur jetën.
Drejtori i Departamentit të Operacioneve në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti, në një prononcim për “Ekonominë Online” ka thënë se që nga fillimi i pandemisë mbi 300 pjesëtarë të Policisë janë të prekur nga COVID-19.
“Pa dyshim që edhe Policia e Kosovës, si të gjithë qytetarët e tjerë, nuk është imune ndaj pandemisë, duke pasur parasysh që pas mjekëve Policia në baza ditore ka qenë në fronin e parë në shërbim të qytetarëve, me kontakte të shumta kemi pasur edhe pjesëtarë të policisë të infektuar.
“Gjithsej kemi pasur 348 zyrtarë të infektuar, 146 janë shëruar dhe fatkeqësisht kemi 2 të vdekur. Aktualisht janë 200 pjesëtarë aktivë me COVID-19, 9 janë duke u trajtuar në spital, 191 janë në shtëpi”, është shprehur ai.
Ahmeti ka thënë se që nga filmi i përhapjes së pandemisë policia ka qenë e angazhuar me kapacitetet të plota në parandalimin e pandemisë COVID-19. Aktualisht, sipas tij, janë të angazhuar 400 mijë pijetarë të policisë për të zbatuar planin e Qeverisë.
“Pas vendimit të fundit të Qeverisë Policia e Kosovës ka angazhuar kapacitete të plota, kemi angazhuar mbi 4 mijë polic në një orar prej 12 orësh që janë të angazhuar ekskluzivisht në implementim të vendimit të Qeverisë në zbatim të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ndërsa pjesa tjetër pa i llogarit policinë kufitare që kryejnë detyrat e tyre të rregullta e që edhe ata në një mënyrë ose tjetër angazhohen në implementim të planit për zbatimin e masave”, ka thënë ai, raporton EO-ja.
Sipas tij, plani për menaxhimin e pandemisë po zbatohet në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe në komunat veriore të vendit.
“Policia e Kosovës operon si një organizatë e vetme në tërë territorin e Kosovës, edhe në komunat veriore të Kosovës zbatohet plani ynë operativ dhe respektohen vendimet e Qeverisë së Kosovës pa asnjë përjashtim”, është shprehur drejtori i operacioneve.
Ahmeti ka treguar se Policia e Kosovës është duke kryer të gjitha punët e tjera, që janë në kompetencë të saj.