Banorët e fshatit Karaçevë kërkojnë nga shteti që t’i mbrojë nga xhandarmëria serbe. Ata thonë se nuk u mjaftojnë vetëm deklaratat nga zyra apo “Facebook”-u të krerëve të shtetit.
Përfaqësuesi i Bashkësisë Lokale të fshatit Karaçevë, Selver Lenjani ka reaguar sërish pas hyrjes së fundit të xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, më saktësisht në fshatin Karaçevë të Kamenicës.
Ai për “Zërin”, ka thënë se askush nga qeveria qendrore dhe as lokale nuk ka dal në terren që së paku të flas me banorët. Sipas tij banorët e kësaj zone kufitare nuk po shohin mbrojtjen nga shteti askund.
Lenjani thotë se kanë dërguar një varg kërkesash drejt institucioneve të vendit, ku i kanë njoftuar për problemin e vazhdueshëm që ballafaqohen me forcat serbe të cilat shkelin këtë terrior kurdo që iu teket.
Deri më sot nga asnjë institucion nuk kanë marrë përgjigje. Edhe ftesa për takim që t’i njoftojnë udhëheqësit e institucioneve për problemet me xhandarmërinë serbe u është refuzuar.
Lenjani thotë se Serbia me këto veprime tenton ta shkëpus këtë pjesë të territorit të Kosovës. “Ne bashkësia lokale e fshatit Karaçevë e poshtme, kemi dorëzuar kërkesa nëpër institucionet më të larta të Republikës së Kosovës për t’i njoftuar për problemin që ballafaqohemi deri më sot, që prej vitit 2001 e deri më sot Serbia pretendon ta shkëput arterin kryesor ta shkëput këtë pjesë të territorit”, thekson ai.
Lenjani po ashtu ka bërë kërkesë për presidentin dhe krerët tjerë shtetëror që të ndërmarrin diçka dhe ta zgjidhin problemin me të cilin që një kohë të gjatë përballen banorët e Karaçevës.
“Urojmë që edhe presidenti të merret me problemin me hallet dhe brengat që ballafaqohen banoret e kësaj treve. Vlen edhe për shefin e grupit negociator Skënder Hyseni që të trajtojnë rastin e Karaçevës edhe në Bruksel, sepse presidenti i Kosovës kryeministri, Avdullah Hoti, Vjosa Osmani, këto janë krehët e shtetit të hynë në agjendën e bisedimeve. Karaçevë, Prishtinë, Bruksel, dhe presin nga këto institucione që zyrtarisht të trajtohet ky problem Karaçeva, dhe mos të lëshojnë pe për shkëputjen e territorit të Kosovës”, ka thënë ai.
Lenjani ka thënë se banorët e kësaj ane do të ruajnë tokat e tyre dhe nuk do t’i japin.
“Tonën se japim të huajën se dojmë, do të qëndrojmë mbrapa rrugës së asfaltuar dhe tokave tona që i kemi të stërgjyshërve tanë, do t’i mbrojmë tokat sepse nuk kemi tokë për t’i falur”, ka thënë Lenjani.
Bashkësia Lokale në Karaçevë iu ka dërguar Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kryeministrit Avdullah Hoti, si dhe kryeparlamentares Vjosa Osmanit.