Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/21.
Përmes një komunikate MASH-i ka njoftuar se organizimi i mësimit është paparaparë për të gjitha nivelet e arsimit në Republikën e Kosovës.
“Për rihapjen e institucioneve edukativo-arsimore, gjatë hartimit të Udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në vitin shkollor 2020/2021, në kushtet e pandemisë COVID 19, janë marrë parasysh vlerësimi i gjendjes dhe udhëzimet e UNESCO-s, UNICEF-it, Bankës Botërore, ËFP-se, IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në komunikatë.
MASH-i ka publikuar një udhëzues ku janë përcaktuar organizimin e mësimit në kushte pandemie në të cilin parashihen tre skenarë.
“Në Udhëzuesin e përgjithshëm, përveç tjerash janë përcaktuar edhe skenarët për organizimin e mësimit në kushte pandemie. Në skenarin A është parapare kthimi në shkolla apo mësimi me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkolla, me masa parandaluese. Në skenarin B është parapare kthimi i pjesshëm në shkolla apo mësimi i kombinuar-prezencë në shkolla dhe E-mësimi. Në skenarin C është paraparë E-mësimi”, thuhet në kumtesë.
Tutje thuhet se janë duke u zhvilluar përgatitjet për shpërndarjen e teksteve shkollore për këtë vit.
“MASH deri më tani ka përgatitur Udhëzuesin e përgjithshëm, rishikimin e udhëzuesve për metodologji dhe për vlerësim, planin për përgatitjen dhe ofrimin e E-mësimit, si dhe planin në të cilin janë përcaktuar hapat e veprimit dhe planifikimit buxhetor. Po ashtu, janë duke u bërë përgatitjet për shpërndarjen e teksteve shkollore për ketë vit shkollor”, thuhet në komunikatë.