Lideri i LVV-së, Albin Kurti, ka reaguar pas caktimit të 2 shtatorit si datë e paralajmëruar e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë në Washington D.C.
Kurti ka kritikuar emisarin amerikan për dialogun Richard Grenell se tash nuk flet për dialog, por për negociata. E negociatat sipas Kurtit kanë për destinim kompromisin. Kushtetuta e Kosovës e ka përbrenda kompromisin e dhimbshëm të Pakos së Ahtisaarit, ndërkaq Kushtetuta e Serbisë vazhdon synimet e Milosheviqit, duke theksuar qysh në fjalinë e dytë të saj se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. Nuk mund të ketë as drejtësi e as dobi nga një qasje e tillë”, thotë Kurti në reagimin e tij për dialogun Kosovë – Serbi.
Ai ka thënë se prioritet i Kosovës duhet të jetë luftimi i pandemisë COVID-19. Ai ka bërë thirrje që të dilet nga kriza shëndetësore. Ndërsa urgjente e quan edhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionin e lartë. Kurti kërkon që prioritet të jetë zhvillimi ekonomik e shoqëror, siç është shprehur ai punësimi, sidomos i rinisë dhe i grave.
“Qeveria aktuale e Kosovës po dështon në secilin rrafsh. Sa i përket Serbisë, ne mund të dialogojmë si shtete fqinje, duke u bazuar në parimin e reciprocitetit dhe pas përgatitjeve të duhura e me transparencë të plotë. Ata që nga Kosova po duan të shkojnë në këto negociata të thirrura për 2 shtator nuk kanë legjitimitet, kredibilitet, autoritet e as kompetencë. Rrjedhimisht, marrëveshjet e tyre janë të pazbatueshme, dhe, nuk vlejnë as sa çmimi i letrës ku shkruhen”, ka thënë ai në deklaratën e tij të publikuar në rrjetin e tij social në “Facebook”.
Kurti ka ndërlidhur çështjen e Kosovës me zhvillimet në SHBA.
“Rreth 80 ditë kanë ngelur deri te zgjedhjet e reja në SHBA, ku presidenti Donald Trump përballet me kandidatin demokrat Joe Biden. Fushata atje po intensifikohet ende pa filluar zyrtarisht. Në këtë kontekst duhet të shihet edhe 2 shtatori si datë e paralajmëruar e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë në Washington D.C. Ish-ambasadori amerikan në Berlin dhe ish u.d.. i drejtorit të Inteligjencës Nacionale, Richard Grenell, e do një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme. Ai pardje kritikoi z. Bidenin që ‘premton se problemet e botës do t’i bëjë përgjegjësi të SHBA-së’, kurse sot vetë ai bëri thirrje për negociata midis Kosovës e Serbisë”, tha Kurti.
Grenelli, sipas tij, është një diplomat që ndërron fjalët.
“I njëjti diplomat që thoshte se nuk ka parë e as diskutuar ndonjëherë për ‘shkëmbim territorial’. Pastaj akuzonte ish-këshilltarin e Sigurisë Nacionale, John Bolton, se ai paska qenë prapa këtij plani, ndërkaq ky i fundit u përgjigj duke thënë se atë e ka dëgjuar nga dy presidentët, i Kosovës e i Serbisë. Në janar të këtij viti Grenelli ndryshoi pozicionin e deriatëhershëm amerikan dhe braktisi të gjitha kërkesat ndaj Serbisë në raport me Kosovën. Grenelli ia ka mësyrë kontestit Kosovë – Serbi si një cowboy i financave dhe medieve që nuk do t’ia dijë për historinë e shqiptarëve dhe vuajtjet e humbjet e Kosovës”, thotë Kurti.
Ai thekson se në njoftimin e tij Grenelli tanimë nuk flet për dialog, por për negociata.
“E negociatat kanë për destinim kompromisin. Kushtetuta e Kosovës e ka përbrenda kompromisin e dhimbshëm të Pakos së Ahtisaarit, ndërkaq Kushtetuta e Serbisë vazhdon synimet e Milosheviqit, duke theksuar qysh në fjalinë e dytë të saj se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. Nuk mund të ketë as drejtësi e as dobi nga një qasje e tillë”, thotë Kurti në reagimin e tij për dialogun Kosovë – Serbi.