Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se Avdullah Hoti do të ketë mandat të përkohshëm në krye të qeverisë së vendit.
Haziri ka thënë se ai është kryetar i Gjilanit dhe ka obligime të shumta ndaj qytetarëve dhe se nuk ka qenë i interesuar për pozita të tjera politike shtetërore.
“Nuk jam i interesuar për pozita të përkohshme…Për mua mandati i Hotit është i përkohshëm. Mund të shkojë deri në tri vjet nëse do të ketë marrëveshje të gjerë politike. Kjo qeveri edhe më tutje po ecën në këmbë të qelqit derisa nuk ka stabilitet të qëndrueshëm politik. Asnjë qeveri nuk mund të punojë pa pasur stabilitet politik”, tha ai në Rtv Dukagjini.
Nënkryetari i LDK-së thotë se një qeveri është stabile kur ka agjendë dhe nuk varet nga individë të caktuar.
Haziri megjithatë thotë se është shumë e vështirë të parashikohet se si do të dukej një qeveri stabile, përcjell Telegrafi.
“Mes LDK-së dhe PDK-së ka mosbesim të madh nga e kaluara…Edhe në PDK ka pasiguri të mëdha për t’iu bashkuar këtij koalicioni. Unë si bashkëpunëtorë i Isa Mustafës nuk e shoh se ai ka bërë thirrje PDK-së për t’iu bashkuar qeverisë”.
“PDK gjithmonë ka kushtëzuar në marrjen e pushtetit. Kësaj radhe për herë të parë PDK e ka një pozitë kur të tjerët do ta ftojnë të merr rol në zgjedhjen e presidentit”.
Kryetari i Gjilanit thotë se të gjitha partitë duhet të angazhohen në zgjedhjen e presidentit të ri.