Që nga fillimi i pandemisë, zyrtarët policorë shihen në çdo cep. Madje edhe orari për ta është zgjatur për 12 orë.
Pavarëisht kësaj, gatishmëria e tyre për të menaxhuar situatën në terren ishte e mjaftueshme.
Mbi 8 mijë të uniformuar të Policisë së Kosovës, me orar 12 orësh u angazhuan në menaxhimin e situatës në aspektin e sigurisë, në parandalimin e lëvizjes së qytetarëve dhe aktiviteteve të tjera gjatë periudhës kritike kur shteti vendosi për kufizim të lëvizjes, raporton T7.
“E kemi pasur rutinë, 12 orë punë, nuk kemi pas shumë kohë me u marrë me frikën ose frika e vetme për ne ka qenë mos po e bartim virusin në familje”, thotë Mimoza Hasani, zyrtare patrolluese në Policinë e Kosovës.
E, se pandemia ka qenë sfiduese edhe për vet pjesëtarët e Policisë së Kosovës tregon toger Nazmi Zogaj, i cili tash e dy dekada është në uniformë.
“Ka qenë një ngarkesë për shkak se 12 orë është goxha një lodhje por prape se prape ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe po mundohemi ta kalojmë sa më lehtë”, thotë ai.
Ani pse detyrë primare e kanë monitorimin e komunikacionit rrugor, tani me Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë së COVID-19, ata mund të veprojnë edhe në rastet e tjera që i hasin.
E, duke u kujdesur për qytetarët, as policët nuk i shpëtuan infektimit me koronavirus.
Sipas të dhënave të siguruara nga Policia e Kosovës, që prej fillimit të pandemisë, janë infektuar rreth 500 pjesëtarë të PK-së, të uniformuar dhe staf civil dhe janë shëruar mbi 310.
Aktualisht me COVID-19 aktiv janë rreth 190 punonjës policie, ndërsa kanë humbur jetën nëntë pjesëtarë të PK-së, dy prej tyre staf civil.