Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me drejtoreshën e Zhvillimit Ekonomik, Valbona Tahiri, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me drejtorin ekzekutiv të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Enershisë, Admir Shala, për investime në efiçiencë të energjisë, ku përfitues janë shkolla “Rexhep Elmazi” dhe “Mehmet Isai”.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në këtë takim ka potencuar se efiçienca e energjisë është kriter ndërkombëtar i angazhimit në sektorin publik, por edhe atë privat.
Ai më tej ka thënë se efiçienca mundëson kursim të mjeteve buxhetore, njëkohësisht zhvillim të projekteve publike me interes të përgjithshëm për mirëqenien qytetare, por edhe kushte më të mira në mësimdhënie e nxënie për nxënësit.
Nga ana e tij Admir Shala, drejtor ekzekutiv në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin duke bërë të ditur se në këtë fazë janë këto dy shkolla përfituese nga ky fond dhe punimet sipas tij do të fillojnë në pranëverën e vitit 2021.
Shala ka inkurajuar Komunën e Gjilanit, që të aplikoj edhe në thirrjet tjera që do të publikohen me projekte të kësaj natyre për objektet publike sin ë fushën e arsimit, shëndetësisë, apo të kulturës.
Ndërsa, drejtoresha Valbona Tahiri ka potencuar se ky fokus është orientuar në shkolla, me arsyen e krijimit të kushteve më të mira për nxënësit dhe personelin dhe njëkohësisht edhe modernizimin e hapësirave në bazë të normave evropiane.
“Shkollat përfituese në efiçiencë janë “Ibrahim Uruqi” në Bresalc, “Liria” në Pogragjë dhe “Dëshmorët e Kombit” në Livoç që financohen nga banka gjermane (KfW), pastaj me GIZ dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, kanë qenë përfituese shkolla “Vesel Muji” në Mihir të Bresalcit, ku ka përfunduar projekti. Me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, përfitues kanë qenë shkolla “Thimi Mitko” dhe “Skenderbeu” në Përpelnicë dhe sot janë dy shkollat që nënshkruam marrëveshje me drejtorin Shala”, ka thënë ajo mes tjerash.
Për ndryshe, në kuadër të efiçiencës së energjisë, varësisht nga nevojat e shkollave është investuar në sistemin e ngrohjes, izolimin e kulmeve, termoizolimin e mureve, ndërrimin e poçave elektrik, të dyerve, dritareve dhe izolimin e dyshemeve.