Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, vlerësoi sot se Kosova qëndron më mirë me situatën me COVID-19 se shumë vende të tjera në rajon, madje edhe më mirë se vendet me sistem më të avancuar shëndetësor.
“Me përkushtimin dhe angazhimin maksimal, ka rënie të trendit të të infekuarve, ku sot nga 561 të testuar, raste pozitive janë 50. Jemi më mirë se shumë vende të tjera në rajon, madje edhe më mirë se vendet me sistem më të avancuar shëndetësor, e kjo na bën edhe më të përkushtuar e të vendosur që ta ngrisim performancën e shëndetësisë tonë”, shkroi Zemaj në Facebook.
Ai njoftoi se sot i bëri 100 ditë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për bashkëpunimin që kemi pasur gjatë këtyre ditëve, me të gjitha institucionet për respektimin e masave sa i përket mbrojtjes nga Covid-19.Kam vizituar shumë qytete dhe fshatra, kam takuar shumë qytetarë, kemi folur e kemi ballafaquar argumente pro dhe kundër pranisë dhe luftimin e virusit Covid-19 në mesin tonë. Nga të gjitha takimet me juve, në tërë vendin, rrjedh një përfundim i padiskutueshëm se të bashkuar ia dalim”, tha Zemaj.