Komuna e Gjilanit, sot ka filluar procesin mësimor, në vitin e ri shkollor 2020-’21, në kushte të rrepta të përdorimit të masave mbrojtëse dhe përgatitjeve që janë bërë nëpër të gjitha shkollat, në bazë të rekomandimeve të institucioneve të shtetit, me angazhimin dhe gatishmërinë e personelit të shkollës, ekipeve mjekësore dhe emergjencave civile.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në vizitën që kishte sot, në shkollën “Zija Shemsiu” në Gjilan, ka uruar të gjithë nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor, në kushte pandemie, mirëpo ka theksuar se është një ekipë shumë e gjerë që po angazhohet për mbarvajtjen e mësimit dhe bashkarisht mund të menaxhohet gjendja dhe gjithçka të jetë në rregull.
“Urime viti i ri shkollor për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit. Komuna e Gjilanit në këtë fillim të vitit ka angazhuar ekipet mjekësore për të kujdestaruar nëpër të gjitha shkollat, të kontrolluar gjendjen shëndetësore të fëmijëve dhe nëse ka simptoma, të trajtohen sa më parë me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik. Nga 13 marsi nxënësit janë jashtë shkollave dhe kthimi i sotshëm është i gëzuar për të gjithë. Kërkojmë respektimin e masave mbrojtëse dhe apelojmë te prindërit dhe mësimdhënësit që nëse vërejnë simptoma të ndonjë qrregullim shëndetësor, menjëherë të kontaktojnë mjekun dhe të mos e sjellin fëmijët e tyre në shkollë, sepse parandalimi më i mirë bëhet me trajtimin e duhur në shtëpi”, ka thënë kryetari Haziri në fjalën e tij.
Ndërsa, Nazim Gagica, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit, ka potencuar se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe gjendja është nën monitorimin strikt të DKA-së dhe të personelit të shkollës në mënyrë që procesi mësimor të vazhdoj sipas planifikimit dhe pa u penguar në asnjë moment.
“Falënderoj të gjithë personelin e shkollës për angazhimin dhe përgatitjet që kanë bërë, sikur një falënderim edhe për nxënësit dhe prindërit që janë duke i respektuar rekomandimet në përdorimin e masave mbrojtëse. Jemi të vendosur që gjendjen ta menaxhojmë së bashku dhe gjithçka të jetë në bazë të planit. Janë shpërndar mbi 19 mijë maska, sikur që sot edhe librat për nxënës janë dhënë me afat dhe apelojmë që me kujdes maksimal të vazhdojmë tutje”, ka thënë mes tjerash drejtori Gagica.
Drejtori i shkollës “Zija Shemsiu”, Qemajl Dushica, ka potencuar se mësimi ka filluar në bazë të planit të punës, konform rekomandimeve të Drejtorisë së Arsimit dhe janë duke u respektuar masat mbrojtëse kundër përhapjes së Covid-19 dhe dita e parë është duke shkuar shumë mirë.