Kanë kaluar më shumë se dy muaj qëkur Zvicra, në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit ka vendosur listën e vendeve të rrezikut, të njohur si lista e “karantinës”.
Në këtë listë zënë vend shtetet ose regjionet e shteteve të caktuara, në të cilat shkalla e infeksionit gjatë dy javëve të fundit kalon mbi 60 raste në 100 mijë banorë, shkruan albinfo.ch.
Duke qenë në korrent me zhvillimet në ato shtete, Zyra Federale e Shëndetit publik (Bag) bën riaktualizimin ose përditësimin e listës. Dhe, në varësi nga këto zhvillime, ajo ka hequr ose ka vendosur shtetet përkatëse në listën e karantinës.
Që nga fillimi, në këtë listë qenë vendosur Kosova, Maqedonia, Serbia etj.
Në këtë listë, deri para një muaji, nuk ndodhej Shqipëria. Ndërsa po atë ditë që u vendos edhe Shqipëria, listës së karantinës iu hoq Serbia.
Të gjitha këto lëvizje janë bërë sigurisht, në përputhje me rritjen, gjegjësisht uljen e rrezikut nga infektimet në vendet përkatëse.
Por, gjatë disa javëve të fundit në Kosovë raportohet një zhvillim i kënaqshëm.
Madje, duke shikuar edhe vetë listën e BAG mund të shihet se atje në dy javët e fundit vlera e infeksioneve në 100 mijë banorë ka rënë ndjeshëm: Ajo nuk është më as 60, që do të mjaftonte për heqje nga lista e famshme e Zvicrës por, 52 raste në 100 mijë banorë.
Si rrjedhim, do të ishte e pritshme që BAG të nxjerrë Kosovën nga lista e karantinës. Ajo duhej të hiqej madje qysh në fund të javës së kalua.
Deri tash, BAG ende nuk është bërë i gjallë në këtë drejtim. Ndërkohë, sa për rikujtim, janë një numër shtetesh dhe regjionesh, të cilat, edhe pse kanë kaluar numrat (60 raste në 100 mijë banorë), nuk janë futur në listën e karantinës.