Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj është deklaruar kategorikisht kundër mbajtjes së dasmave në këtë kohë pandemie, shkruan Insajderi.
Zemaj është shprehur se dasmat, mund të bëhen burim i infeksionit dhe kjo është e palejueshme.
Ai ka treguar edhe komunat nëpër të cilat është ndaluar mbajtja e tyre duke theksuar se janë ndërmarrë edhe masa ndaj pronarëve.
“Tri dasma janë ndërprerë dhe janë marrë masa edhe ndaj pronarëve të objekteve ku janë mbajtur ato, në Gjakovë, Junik dhe Sllatinë. Ndërsa, në lagjen Arbëria në Prishtinë, është mbyllur një lokal nate dhe po ashtu janë marrë masa edhe ndaj pronarëve të këtij lokali”, ka deklaruar Zemaj përcjell Insajderi.
I pari i shëndetësisë kosovare ka thënë se rikthimi i tubimeve të qytetarëve, edhe të dasmave tradicionale, lëndon rëndë disiplinën dhe rekomandimet për pengimin dhe luftimin e virusit Covid 19.
“Prioritet yni mbetet shëndeti i qytetarëve, për këtë kemi sjell rregullore të cilat e mbrojnë shëndetin e qytetarëve”, ka thënë Zemaj duke potencuar se kushdo që bie ndesh me ligjin, do të ketë pasoja.
“Dasmat dhe çdo tubim tjetër që mund të jetë burim i virusit Covid 19, do të pengohet dhe mbyllet në pajtim me rregulloren për pengimin dhe luftimin e virusit”, thotë Zemaj.
“Ligji është shumë i qartë, duhet vetëm të zbatohet”, ka përfunduar shkrimin e tij Zemaj.