Ka më shumë se një muaj prej hyrjes në fuqi të Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e pandemisë COVID-19, e për moszbatim të masave anti-COVID, Policia e Kosovës ka gjobitur mbi 47 mijë qytetarë të Kosovës. Më pak gjoba janë shqiptuar nga Inspektorati Sanitar, ku vetëm në muajin shtator janë dënuar 110 qytetarë dhe rreth 80 biznese.
Vendosja e maskës, ndalimi i punës së gastronomisë pas orës 23:30 dhe ndalimi i muzikës prej orës 21:00 në subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme), janë disa nga masat që Qeveria e Kosovës ka vendosur për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Zyra për Informim në Policinë e Kosovës përmes një përgjigje për KosovaPress, ka njoftuar se nga dita kur ka hyrë në fuqi Ligji për luftimin e COVID-19, janë shqiptuar 47 mijë e 312 gjoba. Për nga shifrat, më së shumti shkelës të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, janë identifikuar në komunën e Prishtinës, e cila prinë me gjithsej 12 mijë e 432 gjoba, e pasuar nga qyteti i Pejës me gjithsej 7838, Prizreni me 6838 e kështu me radhë.
Më poshtë e gjeni tabelën me komunat e renditura në të cilët njësitet policore kanë shqiptuar gjoba për të gjithë ata që nuk e respektuan ligjin antiCovid.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se qytetarët e Kosovës janë vetëdijesuar dhe po i respektojnë masat antiCovid, por shton se duke e parë që ditëve të fundit ka rritje të rasteve me koronavirus janë dakorduar që mos të ketë falje për shkelësit.
Ibrahimi deklaron se me qëllim që mos të vihet deri tek ashpërsimi i masave, është kërkuar mobilizim i të gjitha institucioneve përgjegjëse.
“Po të mos ishin respektuar masat do ta kishim një numër jashtëzakonisht të lartë të të infektuarve, mirëpo për arsye se janë duke u po respektohen masat bartja e maskës, distanca sociale dhe higjiena personale janë duke u respektuar, prandaj kemi numër të kënaqshëm sepse edhe me këtë nuk duhet të jemi të vetëkënaqur kënaqur por duhet të kërkojmë që ky numër të bie tutje. Në përgjithësi situate është nën kontroll, e menaxhueshme dhe të gjitha masat në shumicën e rasteve janë duke u respektuar. Kemi raste ku kemi ende dasma, kemi raste ku gastronomia organizon ndeja me muzikë, kemi raste kur disa lokale nuk i përmbahen rregullave dhe atyre u është shqiptuar vërejtja, por më nuk do ketë pardon”, tha Ibrahim.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës deklaron se mjetet nga gjobat e shqiptuara nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës për mosrespektim të masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë do të shkojnë në buxhetin e komunave.
“Mjetet nga gjobat e shqiptuara nga Policia e Kosovës shkojnë me automatizëm në buxhetet komunale sepse është e rregulluar me ligj, mjetet tjera mund të shkojnë në buxhetin e Kosovës, mirëpo pastaj ekzistojnë formulat e ndarjes buxhetore ndaj komunave, përmes granteve specifike”, deklaroi Ibrahimi.
E më pak gjoba ka shqiptuar inspektorati sanitar që vepron në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi tha se vetëm për muajin shtator prej kur ka hyrë edhe në fuqi ky ligj, inspektorët sanitar kanë shqiptuar 110 gjoba për qytetarët, kurse rreth 80 biznese janë gjobitur.
“Në terren ne kemi vërejtur se me hyrjen e ligjit në fuqi është rritur edhe zbatueshmëria nga ana e qytetarëve të Republikës së Kosovës sepse kemi pasur një numër më të madh të autoriteteve që kanë marrë të drejtën për të shqiptuar masa ndëshkimore për të gjithë shkelësit. Vetëm për muajin shtator sepse hyrja e ligjit në fuqi ka ndodhur në fund të muajit gusht, dhe vetëm për muajin shtator ne kemi 110 gjoba të shqiptuar për personat fizik dhe rreth 80 gjoba për personat juridik, në këtë rast për bizneset të cilat i kanë shkelur vendimet e nxjerra nga qeveria”, tha ai.
Ai i ka renditur edhe shkeljet më të shpeshta që po i bëjnë bizneset dhe qytetarët karshi masave për mospërhapjen e pandemisë.
“Nga monitorimi që kemi bërë për gjobat e shqiptuara për shkelës kemi vërejtur që fillimisht numri i shkeljeve më të mëdha ka qenë nga numri i bizneseve që nuk kanë respektuar ndalimin e shërbimit në ambientet e mbyllura fillimisht kur ka qenë vendimi në fuqi, pastaj kemi pasur edhe shkelës kufizimit të lëvizjes brenda orarit të caktuar me vendime të qeverisë. Dhe kemi pasur raste kur inspektorët kanë shqiptuar gjoba për mosmbajtje të maskës apo edhe distancën fizike, qoftë mes personave fizik apo tavolinave ku janë shërbyer klientët”, theksoi Thaçi.
Ligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, parasheh ndëshkime për të gjithë ata që nuk i respektojnë masat e vëna nga Qeveria e Kosovës. Çdo person që nuk mban maskën dënohet me 35 euro, kurse ai që nuk respekton ndalim-qarkullimin është paraparë të dënohet me 200 euro. Ata që nuk e respektojnë izolimin do të dënohen me 500 euro.
Javëve të fundit kur lakorja e infeksionit po rritet në Evropë dhe kur masat e mbylljes dhe karantina po kthehen në ato vende me risk të lartë të infeksionit, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar shtim të inspektimeve dhe shqiptim të gjobave sipas Ligjit për luftimin e pandemisë Covid-19 për të gjithë ata që nuk zbatojnë masat.