Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pas rritjes së rasteve në ditët e fundit në Kosovë, ka bërë të ditur se nuk do të ketë mbyllje të vendit.
“Ta mbrojmë veten dhe të afërmit, të mbrojmë shëndetin publik dhe ta ndihmojmë shtetin. Shteti duhet të jetë i hapur. Nxënësit duhet të vazhdojnë të vijonë mësimin në shkolla, bizneset duhet të vazhdojnë të punojnë, qytetari të mos varfërohet nga pamundësia për të punuar”, tha ai, përmes një postimi në Facebook.
Ai u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mundësojnë funksionimin e hapur të vendit.
“Të vazhdojmë fuqishëm, secili në përgjegjësitë që kemi, qeveria, policia, inspektoratet, spitalet, qytetarët dhe të gjithë akterët tjerë, bashkë kundër pandemisë. Andaj, të jemi të kujdesshëm dhe ta mundësojmë funksionimin e hapur të shtetit për të gjithë”, tha Zemaj.
Ndërsa për ata që shkelin masat anti Covid- 19, Zemaj theksoi se duhet të zbatohet në përpikmëri Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, nga organet e rendit.