Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2021. Qeveria e ka futur në buxhet edhe projektimin e Autostradës së Dukagjinit.
Në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi tregoi edhe për kapitalet që janë shtuar.
“Një projekt të cilin e kemi kontraktuar më herët por duhet fonde shtesë për të finalizuar është ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit, Istog-Pejë- Deçan- Gjakovë”, tha ai.
Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 2.4 miliardë euro, 200 milionë euro më pak se buxheti i vitit 2020.
Ndërkaq, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami pohoi se buxheti i përgatitur është gjithëpërfshirës, transmeton Telegrafi.
“Kemi përgatit një buxhet gjithëpërfshirës, jemi duke u përballur me një sfidë të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Situata pandemike ka imponuar që të marrim masa agresive, ashtu që këtë sfidë ta kalojmë me sukses. Ky dokument reflekton synimet kyçe të Qeverisë, që janë beteja për ta mposhtur pandeminë dhe rimëkëmbja ekonomike. Për secilën kategori do të ketë mjete të mjaftueshme. 6.7 përqind pritet të tkurret ekonomia këtë vit si pasojë e pandemisë. Gjatë vitit 2021 pritet të rritet me 5.2 përqind. Parashikimet janë të rrethuara me pasiguri të larta. Kontributi kryesor në rritjen ekonomike pritet të vijë nga eksporti”, tha ajo.