Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi gjatë ditës së premte, ka pritur në takim Kryetarin e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës, Faton Morina dhe Ganimete Xhelili, anëtare e Bordit të Odës së Ndërmjetësuesve.
Në këtë takim është diskutuar për mundësinë e shfrytëzimit të metodës së ndërmjetësimit, me këtë rast Kryetari Azizi e ka vlerësuar si shumë pozitiv shfrytëzimin e kësaj metode.
“Ndërmjetësimi si metodë alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ndihmon shumë punën dhe efikasitetin e gjykatave duke pasur parasysh se është metodë e shpejtë dhe e suksesshme në 90% të rasteve” ka thënë Azizi.
Nga ana tjetër, Kryetari i Odës së Ndërmjetësimit, Faton Morina ka thënë se kjo formë zgjidh kontestet mes palëve në mënyrë paqësore.
“Ndërmjetësimi mundëson palët të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë miqësore dhe transparente. Si metodë alternative, ndërmjetësimi ju mundëson të vendosni vet për kushtet e marrëveshjes dhe në të njëjtën kohë t’i normalizoni marrëdhëniet me palën tjetër”, ka theksuar Morina.
Prezent në këtë takim ka qenë edhe referenti i ndërmjetësimit, Artan Arifi.
Me qëllim të ofrimit të informatave lidhur me mënyrën alternative të zgjidhjes së lëndëve/ kontesteve apo procedurën e ndërmjetësimit në sistemin e drejtësisë në vend, në ambientet e Gjykatës Themelore Gjilan me mbështetjen e Programi i USAID për Drejtësi Komerciale, sot janë vendosur broshura informuese për palët dhe qytetarët.