Derisa po flitet për një valë të dytë të Coronavirusit në Kosovë, komunat po e shohin situatën të menaxhueshme, pavarësisht numrit në rritje të të infektuarve në vend, raporton Ekonomia Online.
Sipas, drejtorit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, komunat janë të gatshme të përballojnë një valë të re të Covid-19, teksa shprehet se situata është nën kontroll.
Ibrahimi beson se nuk do të ketë rritje të jashtëzakonshme të të infektuarve me virus në vend.
“Neve kemi kontakte të ditë për ditshme me kryetarët e komunave dhe drejtorët e drejtorive përkatëse dhe situata është e menaxhueshme dhe ende është komplet në kontroll. Përqindja e numrit të rasteve në raport me numrin e testeve tregon që jemi në kufijtë e gjelbër ende, mirëpo komunat kanë qenë të gatshme dhe do të jenë të gatshme të përballojnë edhe një valë të re të përhapjes së Covid-19”.
“Mekanizmat të cilat komunat i kanë krijuar janë duke punuar, janë shtabet emergjente komunale dhe besojmë që me këtë situatë e cila është duke shkuar nuk do të kemi ndonjë rritje të jashtëzakonshme të të infektuarve, dhe shpresojmë që nuk do të kemi rritje drastike”, tha ai.
Por, me një problem tjetër që po përballen komunat janë edhe qentë endacak. Ibrahimi thekson se AUVK-ut ju është ndarë një buxhet shtesë që të merren me këtë problem.
Ai thotë se kanë marr zotimin nga AUVK se do të merren më seriozisht me këtë problem, por ai thekson se do të shtohet edhe koordinimi në nivel lokal.
“Sa i përket problemit të qeneve endacak, në vitin 2018 së bashku me AUVK dhe me Ambasadën Amerikane patëm hartuar një analizë apo një studim fizibiliteti ku në atë kohë është konkluduar që është më së miri që me trajtimin e qeneve endacak të merret një institucion i cili është në nivelin qendror sepse gjatë diskutimeve ka dal si konkluz së nëse komunat merren në mënyrë parciale që ta bëjnë trajtimin e qeneve endacak atëherë suksesi nuk do të jetë i mirë sepse qentë endacak mund të lëvizin nëpër komuna dhe për këtë arsye ju pat dhënë përgjegjësia AUVK që të merret me trajtimin e qeneve endacak në nivel vendi”.
“Edhe buxheti ekstra ju ka ndarë AUVK-ut dhe neve në takimin e fundit kemi kërkuar edhe një bashkëpunim më të ngushtë dhe të sinqertë në mënyrë që të dalim nga kjo situatë. Ata janë zotuar se do të bëjnë edhe më shumë sa i përket trajtimit të qeneve endacak mirëpo do ta shtojmë koordinim me nivelin lokal. Në analizën që e pat aprovuar qeveria në vitin 2017, ju ka ndarë disa milionë euro AUVK që të merret me trajtimin e qeneve endacak”.