•Shkruan: Fitim Redenica
Ne si popull tradicionalisht shquhemi për paragjykimet dhe steriotipet që kemi për rrethin dhe shoqërinë. Në tryezat tona ekzistojnë temat e paragjykimeve për të tjerët, për mikun, fqiun, kolegët, familjen, e deri tek paragjykimet për martesat apo vdekjet e hershme nga rrethana natyrore apo vrasjet e shkaktuara nga dora e njeriut.
Është shumë e turpshme për një shoqëri të shëndoshë të mirret me përceptime të tilla. Të jetuarit dhe të vepruarit në jetë, është e drejtë e patjetërsueshme e çdonjërit prej nesh, e aq më pak të dashuruarit në një person me kombësi tjetër, e cila është perzgjedhje personale e çdo individi. Sinqerisht, është për keqardhje, të lexosh aq shumë komente fyese, denigruese dhe jokredibile, ndaj një aktore, e cila na e zbardhi fytyrën nëpër botë, duke na përfaqësuar denjësisht në çdo arenë ndërkombëtare.
Të jeni të sigurtë se, Adriana Matoshi, por, edhe shumë “Adriana” të tjera, asnjëherë nuk do ta ulin kokën nga paragjykimet e të tjerëve, sepse nëse do ta ulnin, do ta ulnin rolin dhe ndikimin e femrës shqiptare, dhe nuk do t’i rrëmbenin majet e sukseseve, për të cilat “paragjykuesit”, asnjëherë në jetë nuk do mund t’i ëndërronin. Ajo është më shqiptare, më burrërore, e më e dinjitetshme, se shumë meshkuj e paragjykues tjetër.
Mentaliteti i shoqërisë sonë duhet të ndryshojë, parase të rrëshqasim drejtë një gremine nga e cila nuk do të mund të zgjohemi asnjëherë. Evropa, të cilën po e aspirojmë, nuk na pranon si të tillë. E as që duhej të na pranonte! Pse nuk bëhet zhurmë kur një i ri shqiptarë, lidhet me një femër të huaj? Ndërsa, femra shqiptare, ofendohet e paragjykohet me vite, duke lënë njollë të zezë mbi të, e mbi familjen e saj. Si mund të jetë diskriminimi ndryshe?
Një shoqëri e shëndoshë demokratike, nuk e ka këtë temë mbi tavolinë. Në atë shoqëri, roli i femrës është hyjnore. Ajo ka vend të meritueshëm në shoqëri. Hapësira dhe zgjedhja e saj është e pakufijshme. Prandaj, në ato vende jehon kultura, shkenca, të arriturat, mirëqenia dhe optimizmi pozitiv i njerëzve.
Është koha vendimtare kur shoqëria jonë duhet të ndryshojë rrënjësisht, në mentalitet dhe në kohë. Duhet të ndryshojë përceptimi për të tjerët, si dhe roli i gruas në shoqëri, duke ju dhënë më shumë hapësirë, në mënyrë që të mos gjejmë përceptime paragjykuese rreth punës, veprimtarisë dhe jetës së tyre personale e profesionale.
Mendohuni dhe analizoni përpara se të shkruani e të paragjykoni. Thellohuni më shumë në trajtimin e vlerës së femrës shqiptare. Ndiqeni vetën, imazhin dhe të arriturat tuaja. Jetoni jashtë përceptimeve e paragjykimeve për të tjerët, sepse kjo nuk ju bënë nder, e aq më pak nuk ju jep identitetin e një njeriu me vlera të pastërta humane e njerëzore, i cili e konsideron gruan dhe familjen si të shenjtë.
Sytë e gruas shqiptare, nuk duhet të kenë të hapura më shumë plagë sesa plumbat në fushën e betejës së një lufte.
Enough is enough!