Qeveria e Kosovës, në kuadër të masave të veçanta për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, ka përcaktuar edhe rregullat për qytetarët që hyjnë në Kosovë përmes pikave kufitare dhe përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Me qëllim të menaxhimit dhe kontrollit të infeksionit me COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, në kuadër të masave të veçanta, Qeveria ka vendosur që të gjithë qytetarët e huaj të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës (RKS), e që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit RT-PCR në Sars COV-2 që janë me rezultat negativ me COVID-19, në bazë të parimit të reciprocitetit, me përjashtimet si në vijim:
Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk kanë nevojë të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ, duke marrë parasysh që shtetasit e huaj vetëm do të kalojnë nëpër territorin e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajnë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;
Gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore, nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe pikat tokësore, nuk ka nevojë për vërtetim për test RT- PCR negativ, shtetasit e huaj janë të obliguar të paraqesin biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajnë deklaratën që brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;
Transportuesit profesionistë (vozitësit) nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR negativ, me kusht që të respektohet protokolli për transport ndërkombëtar;
Për transport të organizuar me autobus ose linjë te rregullt ndërkombëtare tranzite, nuk nevojitet testi RT-PCR negativ, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e RKS-së brenda 5 orësh;
Shtetasit e huaj të cilët e kanë të rregulluar lejeqëndrimin e përkohshëm ose përhershëm në RKS, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS;
Në rast të mos paraqitjes së dëshmisë së testit negativ, shtetasit e huaj obligohen të vetë-izolohen për 7 ditë;
Diplomatët e huaj që janë akredituar në RKS si dhe familjarët e tyre, nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ;
Shtetasit e huaj të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucione shëndetësore në RKS-së, mund të hyjnë nëse paraqesin vërtetim për test TR-PCR negative, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS si dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali;
Bartësit e dokumenteve personale të lëshuara nga RKS, mirëpo me adresë vendbanimi në një shtet tjetër gjatë hyrjes në RKS, duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negative, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS.
Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër koronavirusit, gjatë një mbledhjeje të mbajtur të dielën në formën online.