Në takimin e rregullt javor midis përfaqësuesit të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Ministrit të Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, me partnerët ndërkombëtarë: Misionet diplomatike, Komisioni Evropian, Agjencitë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, u diskutua për masat e reja të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në menaxhim të epidemisë me COVID -19.
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike Naser Ramadani, vlerësuan se situata epidemiologjike me COVID- 19 në vendin tonë është serioze dhe me tendenca përkeqësimi.
Kjo sipas tyre pasi që numri i qytetarëve të prekur me COVID-19 në ditët e fundit arrin 120 të infektuar në 100 mijë banorë.
“Prandaj, MSH-ja dhe IKSHPK-ja, të cilat janë në përcjellje të vazhdueshme të situatës dhe në mbikëqyrje të zbatimit të masave, nëse do të jetë e nevojshme, do të rekomandojnë dhe do të ndërmarrin veprime shtesë për të mbrojtur shëndetin publik të qytetarëve të Republikës së Kosovës.Partnerët ndërkombëtarë, shprehen mbështetjen e plotë për masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë, si dhe kërkuan angazhim shtesë në monitorimin e situatës. Sipas tyre, nëse do të jetë e nevojshme nuk duhet të përjashtohet edhe ashpërsimi i masave, për të vënë nën kontrollë shpërndarjen e virusit dhe mirëmbajtjen e sistemit shëndetësor”, njofton Qeveria e Kosovës.
Të gjitha palët u dakorduan që të intensifikojnë komunikimin me qëllim të rishikimit të gjendjes epidemiologjike dhe në rast nevoje të ndërmarrjes së masave të nevojshme në përputhje me situatat e krijuara.