Ndonëse kemi hyrë në sezonin e vjeshtës, në Kosovë nuk është paraqitur ende asnjë rast me grip sezonal dhe influencë A dhe B, ndërsa në të kaluarën të tilla raste trajtoheshin në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Mirëpo, në këtë vit është më ndryshe, kjo ngase Klinika Infektive është e mbushur me pacientët e prekur nga koronavirusi.
Megjithatë menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ende nuk ka dedikuar ndonjë hapësirë për pacientët që mund të kërkojnë trajtim nga gripi sezonal, veç se është në planifikimet e tyre kjo çështje.
Në faqen zyrtare të IKSHPK-së thuhet se nga 1 tetori 2019 deri më 9 shkurt të këtij viti në Institut janë testuar gjithsej 522 mostra të dyshimta në grip, prej të cilëve 214 mostra kanë rezultuar pozitive, raporton Klan Kosova.
Por për të njëjtën periudhë ishin trajtuar 681 pacientë në klinika dhe spitale rajonale, ku gjashtë prej tyre patën përfundim fatal.