Numri i pacientëve në Kosovë, që po kërkojnë ndihmë mjekësore nga sëmundja COVID-19, po rritet çdo ditë. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirusin e ri javëve të fundit.
Gjatë së enjtes, më 5 nëntor, është shënuar numër rekord i rasteve nga fillimi i pandemisë, duke arritur në 661 persona të infektuar në 24 orët e fundit. Ndërkaq, autoritetet raportuan edhe për gjashtë viktima.
Pacientët me COVID-19 (sëmundjen që e shkakton koronavirusi), janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, Pulmologjike dhe atë të Mjekimit Qendror Intensiv të Qendrës Klinike Universitare. Spitalet rajonale, po ashtu, trajtojnë pacientët me koronavirus.
Aktualisht, më shumë se 70 pacientë, që janë të shtrirë në Qendrën Klinike Universitare, janë në gjendje të rëndë, ku katër prej tyre janë vendosur në respiratorë, e 67 po trajtohen me oksigjenoterapi.
Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i të shtrirëve në këtë klinikë po varion çdo ditë, dhe mesatarja e atyre që pranohen gjatë natës janë rreth dhjetë pacientë, por që i njëjti numër lirohet të nesërmen dhe kjo rutinë vazhdon.
Në Klinikën Infektive, thotë Ajazaj-Berisha, janë 120 shtretër në dispozicion.
“Janë rreth 110 pacientë në klinikë. Por, jo të njëjtit mbesin të shtrirë, meqë disa lirohen, pra ata që janë në gjendje më të mirë për t’u trajtuar në shtëpi, derisa të tjerë frekuentojnë klinikën dhe varësisht nga gjendja shtrihen ose lirohen. Por, ajo çka mund të them është se kapacitetet tona aktualisht janë të mjaftueshme”, tha ajo.
Anesteziologu Nehat Baftiu duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në Mjekimin Intensiv ku po trajtohen pacientët në gjendje të rëndë nga COVID-19, situata është mjaft e rënduar. Kjo për shkak se dhjetë mjekë anesteziologë dhe dhjetë infermierë janë të infektuar me koronavirus.
Rrjedhimisht, vëllimi i punës është shtuar shumë, thotë Baftiu, sipas të cilit çdo të dytën ditë, mjekët anesteziologë kujdestarojnë, për shkak të mungesës së stafit.
“Kemi angazhuar katër anesteziologë në Klinikën Infektive dhe atje është hapur Mjekimi Intensiv për shkak që të pakohet numri i pacientëve në Mjekimin Intensiv Qendror. Kjo për arsye se ka pacientë me trauma të ndryshme edhe pa COVID-19”, thotë ai.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se këtë vjeshtë, Evropa duhet të jetë e përgatitur për më shumë vdekje nga COVID-19, kjo pasi ka filluar të rritet numri i të infektuarve në Evropë, e që rrjedhimisht parashihet të ketë më shumë vdekje.
Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 22,206. Prej tyre, 720 pacientë kanë vdekur dhe 15,921 janë shëruar. Ndërkaq, raste aktive janë 5,565.