Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përsëri ka reaguar ndaj masave të reja anti-COVID, që ka marrë sot kryeministri i vendit, Avdullah Hoti.
Ahmeti përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se nuk po përdor kriteret e duhura për futjen në zonë të kuqe të komunave.
“Në qoftë se një numër tepër i madh i të infektuarve janë zyrtarë publikë që punojnë në institucione publike, si ndihmon ora policore prej orës 19:00? Sipas kritereve të Qeverisë, në qoftë se Komuna i ndërpret testimet dhe ndalon laboratorët privatë në Prishtinë, atëherë për pesë ditë do të jemi në zonën e gjelbër, sepse nuk do të kemi raste pozitive”, ka shkruar ai.
Ai thotë se rastet pozitive si përqindje e testimeve janë të njëjta në krejt Kosovën.
“Qeveria po i merr për bazë 201.000 banorë në Prishtinë, a ka plot njerëz në lista të IKSHP-së që banojnë në Prishtinë, por nuk janë të regjistruar në Prishtinë. (Vetëm nga numri i nxënësve, Prishtina i ka 320 – 350 mijë banorë). Kjo është me rëndësi, sepse si kriter po e marrin numrin e të infektuarve për 100.000 banorë. Rastet pozitive si përqindje e testimeve janë të njëjta në krejt Kosovën. Ky është kriteri që duhet të përdoret”, tha Ahmeti.