Largimi i Listës Serbe nga koalicioni qeverisës ka mbetur vetëm paralajmërim nga kjo parti. Deri më tani, shqetësimet e tyre ata nuk i kanë adresuar te kryeministri Avdullah Hoti.
Përkundër se është thënë që nuk ka diçka zyrtare lidhur me largimin e mundshëm të serbëve nga Qeveria, zv.kryeministri Besnik Tahiri e ka lënë të hapur si mundësi.
“Qeveria është duke e bërë punën e vet, ndërsa vendimi i partive politike gjithmonë është vendimi tyre, ashtu siç kanë hyrë, munden edhe me dalë por nuk di që ka ndonjë arsye. Nuk ka pasur ndonjë komunikim me qeverinë dhe përderisa nuk ka pasur, nuk mundem me komentu më shumë”, ka thënë Tahiri.
Përveç konfirmimit se janë duke e shqyrtuar mundësinë për largim nga koalicioni shkaku i pakënaqësive rreth zbatimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje, nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, këtë të enjte nuk ka pranuar të japë më shumë detaje.
Megjithatë, nga Zyra e kryeministrit kanë thënë se në adresë të tyre nuk kanë pranuar ndonjë shqetësim për këtë çështje.
“Sot nuk kam ndonjë përgjigje konkrete në pyetjet tua, sepse zyrtarisht( deri në këto momente të komunikimit tonë) në Zyrën e Kryeministrit Avdullah Hoti nuk ka arritur ndonjë shqetësim nga partneri qeverisës, Lista Serbe, lidhur me zbatimin e marrëveshjes së koalicionit”, ka thënë Drejtoresha e Zyrës për Komunikim me Publikun, Antigona Baxhaku.
KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga zv. kryeministri Goran Rakiq, por ai nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit.
Në anën tjetër, sipas shoqërisë civile, largimi i mundshëm i Listës Serbe nga koalicioni do ta paralizonte punën e ekzekutivit.
“Derisa ka pas telashe edhe me Listën Serbe me siguru kourum dhe shumicë të nevojshme në kuvend me daljen e Listës serbe që diku janë 10 deputetë atëherë komplet paralizohet puna e qeverisë dhe bëhet jo funksionale e që pas kësaj është e domosdoshme ose shkuarja e vendit në zgjedhje ose rishikimin ose si kompletimi i një shumice tjetër qeveritare”, është shprehur Arton Demhasaj nga organizata “ÇOHU”.
Pjesë e kabinetit të Hotit nga Lista Serbe janë dy ministra, ai i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq, dhe për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq. Rakiq përveç ministrit mban postin edhe të zv.kryeministrit të Kosovës.