Në rast se Kosova përballet me një krizë të mbingarkesës në spitalet shtetërore, ato private ligjërisht do të vihen në shërbim të qytetarëve.
Kështu u zotua ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili më parë njoftoi se ka diskutuar me odën e spitaleve private për të bërë zgjidhje për një mbingarkesë të mundshme që sistemi shëndetësor shtetëror s’e përballon, njofton Klan Kosova.
“E kam ftuar shoqatën e spitaleve private dhe i kam treguar për këtë objektiv tonin dhe për këtë mënyrë të komunikimit. Adresimi është bërë në dy rrugë: E para se çka mund të na ofrojnë ata dhe e dyta për shkak që në Kosovë s’ka pasë specializime, kemi mungesë të anesteziologëve apo numri është minimal. Rastet që në mungesë të trajtimeve për shkak të mbingarkesës në spitale, ia kam thënë që të na japin një listë se çka mund ata të na ofrojnë në ordinancat e tyre dhe ata kanë shprehur gatishmëri. Pjesa tjetër që kam kërkuar është që të na lejojnë anesteziologë që ta mbajnë një kujdestari në klinikat tona për të trajtuar raste me COVID-19”.
Zemaj në Oxygen ka thënë se në rast të refuzimit të mjekëve që punojnë në ordinanca private, do t’iu merret licenca dhe do t’iu ndalet puna.
“Përndryshe do të detyrohem që të shkoj përtej këtij lloji komunikimi ose t’ua ndërprej licencat, në rast se na vjen ndonjë krizë, ose do të punojnë bashkërisht me kolegët e tyre për me iu dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës. Këta e kanë obligim edhe kushtetues edhe ligjor. Është vendimi i Qeverisë që e vë në shërbim të pandemisë krejt personelin shëndetësor publiko-privat në gjithë Republikën e Kosovës”.
Zemaj u zotua se kjo nuk do të mbesë vetëm në letër.
“Po e them bukfalisht. Nëse mjekët nuk vijnë, s’kanë me punuar hiç”.