Ushtruesja e detyrës së presidetit të Kosovës Vjosa Osmani përmes një postimi në facebook ka treguar se është infektuar me koronavirus.
Ajo ka treguar se gjatë dy javëve të ardhshme do të punojë nga shtëpia dhe takimet do i vazhdojë nëpërmnet platformave elektronike shkruan Radio Star.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë!
Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv.
Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike.
Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar.
Mirëmbetshi e shëndet të gjithëve!