Shteti ende nuk ka të dhëna zyrtare për dëmet e shkaktuara në ekonomi nga pandemia COVID-19.Kësisoj, për rënien e punësimit në pandemi po vazhdon të heshtë Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila është e thirrur për të nxjerrë rezultatet e papunësisë, por që deri tash drejtues të kësaj agjencie nuk kanë pranuar të flasin për KosovaPress lidhur me këtë çështje.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe ekspertë të ekonominë kanë fajësuar ASK-në, e cila është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit që nuk ka prodhuar ende asnjë raport për numrin e humbur të vendeve të punës dhe numrin e bizneseve të falimentuara.
Sindikata e Pavarur të Sektorit Privat thotë se deri në fund të këtij viti numri i atyre që do të humbasin punën do të arrijë në 100 mijë.Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati thotë se Qeveria dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës janë “të humbur në këtë situatë”.
Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati thotë për KosovaPress se mbetet e vështirë sigurimi i statistikave për papunësinë në pandemi për dëmet ekonomike.
“Ne si Komision (për Buxhet) dhe si deputetë vazhdimisht kemi kërkuar, edhe pse është bërë problematike për të kërkuar diçka prej ekzekutivit, që po shihet që s’ia ka idenë çka është duke bërë. Kot kërkon prej tyre, s’e po shihet qartë që nuk dinë çfarë po bëjnë, nuk dinë sesi po veprojnë. (ASK) është e humbur në këtë situatë”, thotë Murati.
E deputeti nga AAK, Gazemend Abrashi, deklaroi se përkundër mungesës së statistikave zyrtare, numri i atyre që kanë mbetur pa punë është rreth 40 mijë, shifër kjo sipas tij që është në rritje vazhdimisht.
Deputeti Abrashi shprehet se nuk ka asnjë të dhënë zyrtare nga ASK-ja për papunësinë dhe dëmet në ekonomi.
“Nuk kam njohuri të sakta lidhur me Agjencinë e Statistikave dhe numrat, por është një shënim jozyrtar që janë diku rreth 35-40 mijë vende të punës që janë humbur. Trendi potencial i humbjes së vendeve të punës është edhe më i madh. Pikërisht për këtë arsye, fondamentale dhe jetike që Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike të votohet”, theksoi Abrashi.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu thotë se mungesa e të dhënave zyrtare për dëmet në ekonomi dhe punësim dëshmon se kanë mungesë të përgjegjësisë individuale dhe institucionale.
Ish-kryetari i OEK-ut, Gërxhaliu ka thënë se ASK-ja është institucion i politizuar.“Çfarëdo kërkesë drejtuar në këtë agjenci vërtet has në vesh të shurdhër, sepse shumë më tepër llogaritë për pagë sesa për të punuar.
Shumë më tepër llogaritet sesi të shijohet jeta në administratën publike sesa të kontribuohet. Definitivisht po vërehet që në Kosovë statistikat japin rezultate të pasakta e të dhëna të gabuara.
Neve na duhen të dhëna të sakta, por për këtë duhet depolitizm të këtyre agjencive. Duhet inovacion, digjitalizim dhe mbi të gjitha kuadrat të cilët kanë dije dhe jo vetëm meritokraci partiake dhe politike. Sepse vërtet është i rrezikshëm ky fenomen i politizimit dhe vendosjes së njerëzve të politizuar dhe pa dije në pozita të ndryshme, në veçanti në administratën publike.
Këtë e dëshmon fakti që sot Kosova është në pikën më kritike ekonomike, në pikën më kritike të stabilitet social, në pikën më kritike integruese dhe kjo është kostoja të cilën Kosova po e paguan me një ngufatje dhe me një varrosje të perspektivës dhe ardhmërisë”, tha Gërxhaliu.
Komuniteti i biznesit dhe Sindikata e Sektorit Privat kanë mbetur burimet e vetme për të dhënat e dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia tash e nëntë muaj.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se deri në fund të vitit pritet të shuhen deri në 100 mijë vende të punës në sektorin privat për shkak të pandemisë.Azemi ka fajësuar Qeverinë dhe Kuvendin që nuk po e mbështesin sektorin privat për të ruajtur vendet e punës.
“Në bazë të statistikave të cilat po shënojnë, deri në Vitin e Ri do të mbërrijë mbi 100 mijë punëtorë të larguar nga puna. Prej tyre punëtorë me kontrata dhe pa kontrata. Një institucion për shifra të sakta jemi ne, sepse në momentin e parë punëtorët e larguar nga puna adresën e parë e kanë sindikatën.
Diku 30 përqind e të gjithë punëtorëve në sektorin privat do të humbasin vendin e punës. Fatkeqësisht pandemia ka prekur edhe vendet më të zhvilluara. […] Ka pasur mjete buxhetore, por nuk ka pasur vullnet nga parlamentarët dhe qeveritarët që të jenë më afër në momentet e caktuara tek bizneset”, thekson Azemi.
Në Trust, bazuar në të dhënat zyrtare, numri i kontributdhënësve është 6 mijë më pak në pandemi krahasuar me vitin paraprak