Me rastin e hapjes së fushatës “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës”, sot më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, Zyra për Barazi Gjinore në kuadër të Njësisë për të Drejtat e Njeriut, i ka rekomanduar Drejtorisë së Arsimit që në të gjitha shkollat e Komunës së Gjilanit, gjatë kësaj periudhe, një orë mësimi t’i kushtohet informimit – ndërgjegjësimit për dhunën në baza gjinore, ku gratë dhe vajzat tona, fatkeqësisht i gjejmë viktima të kësaj dhune.
Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të të gjitha institucioneve përgjegjëse për reagim të shpejtë ndaj thirrjeve emergjente për ndihmë në rastet e dhunës në familje, fatkeqësisht ende ka shumë nevojë të punohet në luftimin e këtij fenomeni.
Kosova ka adaptuar përvoja të mira të barazisë gjinore sa i përket anës ligjore, por zbatimi i tyre në praktikë vazhdon të mbetet ende një sfidë për shoqërinë e këtushme, me gjithë përparimet e dukshme që janë bërë në këtë drejtim.
Prandaj, është i domosdoshëm një ndërgjegjësim më i madh për ta raportuar dhunën, sikurse edhe një mbrojtje e plotë e viktimave e deri te ri-integrimi dhe rehabilitimi i tyre, sidomos në situatën aktuale me pandeminë, kur jemi të detyruar të mbyllemi të gjithë.
Para së gjithash, duhet të mendojmë mirë se në çfarë situate mund të gjenden ato gra të cilat rrinë mbyllur bashkë me abuzuesit e tyre të mundshëm, duke mos pasur zgjidhje tjera më të mira, thotë Lindita Salihu, zyrtare për barazi gjinore.
‘Për të avancuar të drejtat e grave si dhe për të parandaluar dhunën në familje, në nivelin maksimal të mundshëm, kërkohet angazhim më serioz i të gjithëve në mbrojtje të kësaj kategorie, duke insistuar në rend të parë në zbatimin me përpikëri të ligjeve të aplikueshme në vend’, thotë Salihu.
Përndryshe, pozita e vajzave dhe grave ende mbetet e rëndë, derisa ato, rrjedhimisht detyrohen të qëndrojnë në ambiente dhune, duke mos pasur zgjidhje më të mira dhe duke vazhduar së kërkuari drejtësi.