Ende pa kaluar vala e dytë e pandemisë së koronavirusit, ekspertët po paralajmërojnë për një valë të tretë të mundshme të Covid-19. Por në Kosovë ende nuk flitet për një valë të tretë të koronavirusit. Sipas ekspertëve vendor dhjetori dhe janari në Kosovë pritet të jenë muajt më kritik sa i përket pandemisë CoViD-19.
Kështu ka thënë kështu, infektologu Xhevat Demiri.
“Në muajt dhjetor dhe janar ne do të kemi telashe. Ndryshon klima dhe lagështia e ajrit është më e ndjeshme. Mirëpo këto janë vetëm hipotetike. Pastaj është edhe një gjendje tjetër që shkenca thotë, që njerëzit që e kanë pasur CoViD-in, edhe pas tre muajve në organizimin e tyre mund ekziston mundësia që ata ta kenë atë”, ka thënë Demiri.
Ai ka përmendur edhe një faktor tjetër që sipas tij pritet të ndikojë negativisht gjatë këtyre dy muajve.
“Meqenëse është koha e gripit sezonal, mund të të përzihet edhe CoViD-i me të. Çka edhe e vështirëson gjendjen me CoViD. Është një rrezik tjetër që edhe spitalet e QKUK-ja nuk janë mirë të pajisura me medikamente dhe aparatura”, ka vlerësuar Demiri.
Derisa masat e fundit të ndërmarra nga institucionet vendore për të parandaluar përhapjen e pandemisë CoViD, sipas tij nuk janë duke dhënë efekt. Ai sugjeron që të ketë masa tjera “shtrënguese”, në mënyrë që të ulët numri i të infektuarve.
“Mendoj që këto masa do të kenë shumë pak efekt. Efektet do të arrihen vetëm me masa represale, e kurrsesi me këto masa. Shteti duhet të ngritët në këmbë, përmes policisë, inspektorëve ta bëjnë ndalimin. Përveç tjerave duhet me doemos me pas kujdes në distancë sociale, higjiena dhe vendosja e maskave, meqë deri më tani nuk kemi mjekim efikas”, deklaroi Demiri.
Ai thotë se situata me koronavirus në Kosovë ka dalë jashtë kontrollit.
Madje sipas Demirit, rreziku ekziston në të ardhmen e afërt kur do të ketë kolaps në sistemin shëndetësor, meqë sipas tij një pjesë e madhe e personelit janë të infektuar me CoViD.
“Është një gjendje shumë e rëndë. Unë mund të them që gati-gati ka dal jashtë kontrollit. Rreziku më i madh ekziston në të ardhmen që do të ketë edhe kolaps nga personali shëndetësor. Meqenëse një numër i madh i punëtorëve shëndetësor është i infektuar”, tha më tej ai.
Demiri i cili është edhe pjesë e Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë, thotë se mjekët duhet ta vazhdojnë punën edhe gjatë kohës sa ata do të jenë të infektuar me këtë virus.
“Mendoj që në të ardhmen shumë të afërt, duhet me marrë masa që punëtorët shëndetësor që janë të prekur me Covid-19, nëse nuk kanë ndonjë telashe të madhe, ata ndoshta duhet të shkojnë në punë me masa mbrojtëse. Do të kemi një kolaps edhe në ekonomi”, ka theksuar Demiri.
Infektologu thotë se edhe në Komitetin për Pandeminë janë diskutuar këto masa “shtrënguese”.
“Kohë pas kohe i kemi diskutuar këto masa. Por, tash është koha e fundit që ne të diskutojmë dhe të bisedojmë edhe në institucionet ku jemi ne. Unë do të tentoj përmes këtij Komiteti t’i diskutojmë sërish këto masa. Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri është shumë i interesuar rreth këtyre masave”, ka deklaruar Demiri.
Numri i rasteve aktive në nivel vendi aktualisht ka shkuar në 13.168 derisa 948 prej tyre kanë vdekur./Objektiv/