Fjalimi, që konsiderohet prej më të fuqishmëve në Kuvendet e shteteve ballkanike, ka autor Shaip Kamberin. Në seancën e fundit në Kuvendin e Serbisë, ai vendosi një flamur kuq e zi para vetës. Tregon se ai ka një kauzë para vetës, që dëshiron ta arrijë përmes Kuvendit serb.
Kamberi thotë se nuk është naiv të mendojë se Serbia do të ndryshojë me Vuciqin në krye, por ai do ta vazhdojë misionin e tij.
Kamberi në një intervistë për Express ka thënë se pas këtij fjalimi ka pasur edhe mesazhe kërcënuese, por se mesazhet mbështetëse që ka marrë nga qytetarët e nacionalitetit serb kanë qenë të mëdha.
“Nuk i kam konsideruar serioze mesazhet kërcënuese. Por më shumë më kanë bërë përshtypje mesazhet mbështetëse që kam marrë nga qytetarët e nacionalitetit serb, të cilët dëshmojnë se ndryshe nga pushteti, shoqëria serbe nuk është homogjene dhe ekziston një potencial demokratik që e dëshiron një Serbi tjetër nga ajo që përfaqëson pushteti i sotëm”, është shprehur ai në këtë intervistë.
I pyetur se a ka frikë se mund të ketë ndonjë sulm apo atentat ndaj tij, Kamberi ka thënë se nuk frikësohet edhe pse jeton në shtetin që u përfshi në vrasjen e kryeministrit të vet.
“Nuk frikësohem, sado që jetoj dhe veproj në një shtet që nuk e respekton ende institucionalisht dhe nuk e vlerëson ende shoqërisht, ish-kryeministrin e saj, të vrarë në një atentat me përfshirjen e strukturave shtetërore, pak pasi pati deklaruar se “çdo shtet ka mafian e tij, e në Serbi mafia ka shtetin e saj”, është shprehur ai ndër të tjera.