Gjatë javës që po vjen, do të bëhet vlerësimi dhe rishikimi i masave aktuale anti-Covid që janë momentalisht në fuqi.
Express mëson se nuk pritet të ketë lehtësim të masave, ani pse lakorja e rasteve pozitive me koronavirus gjatë ditëve të fundit ka pësuar rënie.
Gjatë javës do të bëhet vlerësimi i masave aktuale. Kategorizimi i komunave ka pasur sukses në uljen e numrit të rasteve pozitive, por nuk pritet të ketë lirim të masave. Tani i kemi edhe shkollat, do të fillojë mësimi më 18 janar. Pavarësisht rënies së numrit të rasteve pozitive, duhet të kemi kujdes të mos rritet numri”, kanë thënë burime të Ministrisë së Shëndetësisë për Gazetën.
Masat anti-Covid që janë aktualisht kanë hyrë në fuqi nga 23 dhjetori i vitit që lamë pas.
Për shkak të festave të fundvitit dhe ardhjes së mërgimtarëve, ishte zgjatur për një orë orari i lëvizjes për qytetet që janë në zonë të kuqe.
Po ashtu, në komunat në zonë të kuqe ishte zgjatur edhe orari i punës për gastronominë, derisa ishte lejuar shërbimi porosi dërgesë apo “delivery”.
Për këto komuna, është e ndaluar lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive/banesave të tyre nga ora 20:00 deri në orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore të dokumentuar në mënyrë të përshtatshme, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësorë, të sigurisë, të drejtësisë dhe të ngjashme, dhe punëtorët e operatorëve ekonomik që pajisen me leje të veçanta për qarkullim.
Megjithatë, edhe në komunat të cilat ndodhen në zonën me rrezik të lartë të përhapjes së koronavirusit, ka përjashtime.
“Personeli shëndetësor, i sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme, qytetarëve për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim, dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim, barna për njerëz dhe kafshë e shpezë), operatorëve ekonomik dhe transportit të mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit, kompanitë ndërtimore, operatorët që kryejnë punë publike”, janë të lejuar të veprojnë edhe pas kufizimit të orarit.
Ndërkohë, operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-20:00, qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-20:00, shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-20:00, ndërkaq pas orës 20:00 punojnë vetëm me shërbim “porosi me dërgesë”.
Të premten ka ndryshuar kategorizimi i komunave nëpër zona, sipas numrit të të infektuarve.
Në zonën e kuqe, apo të rrezikut të lartë të përhapjes së koronavirusit, nga 1 deri më 8 janar janë Prishtina, Fushë Kosova, Mitrovica e Veriut, Zveçanji, Zubin Potoku dhe Leposaviqi.
Në zonën e verdhë, apo të rrezikut mesatar të përhapjes së COVID-19, janë Mitrovica e Jugut, Graçanica, Obiliqi, Poduejva, Juniku dhe Gjilani.
Ndërkaq në zonën e gjelbër, atë të rrezikut të ulët të përhapjes së koronavirusit janë 26 komuna: Kllokoti, Lipjani, Gjakova, Kamenica, Ferizaj, Vushtrria, Peja, Drenasi, Skënderaj, Istogu, Deçani, Shtërpca, Klina, Shtimja, Novobërda, Vitia, Prizreni, Suhareka, Kaçaniku, Rahoveci, Malisheva, Hani i Elezit, Dragashi, Mamusha, Parteshi dhe Ranillugu./GazetaExpress/