Në Klinikën Infektive në QKUK janë paraqitur për trajtim raste që kanë rezultuar për herë të dytë me Coronavirus, ka konfirmuar drejtoresha e kësaj Klinike, Lindita Ajazaj-Berisha.
Madje sipas saj, ka pacientë që herën e parë e kanë kaluar lehtë virusin, ndërsa për herë të dytë kanë pas nevojë që të trajtohen në spital.
Dyshimet që pacientët që kanë qenë të prekur nga Covid-19 të mund të preken për here të dytë, Drejtoresha tha që kohëve të fundit kanë pasur raste që u kanë ardhur për herë të dytë, e madje disa prej rasteve duhet edhe të spitalizohen.
“Po gjatë këtyre kohëve të fundit kemi pasur edhe raste që na kanë ardhur për herë të dytë me Covid-19 të cilët kanë qenë gjatë muajve të verës të konfirmuar me PCR-pozitiv dhe tani përsëri kanë qenë Covid- pozitiv, në mesin e tyre kemi pacientë të cilët në atë kohë nuk kanë pasur manifestime klinike ose kanë pasur manifestime të lehta, ndërsa tani kemi disa prej rasteve që edhe duhet të spitalizohen”.
Ajo ka lutur partitë politike që të respektonë masta anti-Covid në tubimet paraelektorale për zgjedhjet e parakohshme.
“ Ne si qytetarë të Kosovës duhet të jemi të vetëdijshëm që virusin e kemi ende prezent, po e vërejmë që kohë pas kohe kemi rritje të numrit, e kohë pas kohe kemi edhe rënie të numrit, mirëpo ende kemi rritje të numrit të rasteve që përfundojnë me vdekje prandaj të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm që t’i largohemi grumbullimeve të panevojshme, ta ruajmë distancën sociale dhe t’i bartim maskat dhe të gjitha masat mbrojtëse që dalin nga institucionet shëndetësore pa kurrfarë dallimi mes njëri-tjetrit”.
Një shqetësim në Klinikën Infektive, sipas drejtoreshës është mungesa e barnave.
“Ne në klinikën Infektive për momentin kemi vetëm rastet Covid pozitiv, të cilët janë të spitalizuar, kohë pas kohe kemi mungesa të barnave, sidomos të antibiotikëve, mirëpo vazhdimisht jemi në takime me menaxhmentin edhe drejtorinë e ShSKUK-së në mënyrë që të mund të sigurohen të gjitha barnat që të mos kenë nevojë që pacientët t’i sigurojnë me mjete vetanake, mirëpo kohë pas kohe kemi mungesa”.
Mes tjerash ajo përmend edhe kapacitetet e Klinikës Infektive, duke treguar që prej fillimit të pandemisë e deri më tani kanë qenë në shërbim të qytetarëve.
“Tani në klinikën Infektive po bëhen gati një vit që veçse kemi filluar me rastet, në fillim rastet e dyshimta pastaj edhe rastet e konfirmuara nga 13 marsi dhe deri më tani kemi qenë me të gjitha kapacitetet të cilat na i kemi vazhdimisht në shërbim të qytetarëve pa u kursyer për asnjë moment as veten e as familjet dhe jemi munduar që në çdo kohë për çdo qytetar, i cili ka pas nevojë për hospitalizim, të jetë i spitalizuar”./EO