Avokati i Popullit përmes një komunikate për media ka shfaqur shqetësimin e tij lidhur me zbatimin selektiv të masave të qeverisë për parandalimin e pandemisë COVID-19, gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e Përgjithshme 2021, raporton Gazeta Express.
Në një njoftim për media, nga zyra e Avokatit të Popullit thonë se kanë vërejtur se që nga fillimi i fushatës parazgjedhore nuk janë respektuar masat anti -covid nga ana e partive politike ndërsa në anën tjetër institucionet që kanë për obligim t’i zbatojnë këto masa nuk kanë reaguar.
“Avokati i Popullit bazuar në ankesat që ka pranuar nga qytetarët që ndërlidhen me procesin zgjedhor e që kryesisht kanë të bëjnë me verifikimin e aplikacioneve jashtë vendit, vështirësitë për shkarkim të formularëve të fletëvotimeve nga ëeb faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mos përfshirja e qytetarëve me të drejtë vote në listën e votuesve, si dhe mospranimi përmes emailit të ankesave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Po ashtu, kërkesë e veçantë e votuesve jashtë vendit ka qenë mundësia që të shtyhet afati për pranimin e votave të dërguara me postë. Lidhur me këto ankesa, Avokati i Popullit i bënë thirrje KQZ-së ti shqyrtojë ato me qëllim që askush të mos privohet nga e drejta për të votuar.
Për krejt këto shqetësime e me qëllim të përmbushjes së mandatit kushtetues, Avokati i Popullit është mobilizuar që të monitorojë procesin zgjedhor dhe me këtë rast njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se zyra kryesore dhe ato rajonale do të jenë të hapura në ditën e zgjedhjeve ku do të pranohen ankesat në rast të parregullsive që cenojnë të drejtën e votës së lirë.
Zgjedhjet janë të rëndësishme për vendin prandaj është në interes të të gjithëve që këto zgjedhje të jenë të lira e demokratike“, thuhet në komunikatë.