Mikpritje të jashtëzakonshme ka gjetur në Gjilan kryeministri në detyrë dhe kandidati i LDK edhe për një mandat qeverisës, Avdullah Hoti.
“Ky tubim në Gjilan dhe tubimet tjera, dëshmojnë se padyshim të dielën do ta mbyllim me fitoren e madhe te LDK-së. Ne i kemi përballë këta me shamia të kuqe, këta që synojnë regjimin totalitar si në kohën e Maos. Por, njerëzit, burrat e gratë e LDK, janë bërë bashkë shumë më herët për ta ndërtuar këtë shtet dhe kanë sjellë deri këtu. Sot, ne jemi bërë bashkë dhe e kemi për obligim që të sigurohemi që shtetin ta çojmë në drejtimin e duhur. Themelet e këtij shteti janë vendosur tash e 30 vjet dhe s’ka kush e rrënon”, tha Hoti.
Ai tha se një hap ta madh është bërë me nënshkrimin e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, për të shtuar se projekti i LDK është projekt i anëtarësimit të Kosovës në strukturat europiane.
Hoti tha, po ashtu, se krizën e pandemisë e kemi kaluar me mbështetjen e jashtëzakonshme të mërgimtarëve.
Kryetari i Degës së kësaj komune, kryetari i Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së në nivel qendror, Lutfi Haziri, ka thënë se tubimi i sotëm tregon se populli e do stabilitetin, zhvillimin e qetësinë politike në Kosovë.
“Mirëseardhje kryeministrit të tanishëm dhe të ardhshëm, mikut tim Abdullah Hoti. Po punojmë natë e ditë për t’ia vazhduar kontratën edhe për katër vitet e ardhshme, për stabilitet, punë të jashtëzakonshme, për paqe sociale, për shtetin, për Republikën tonë e Republikën të 2 Korrikut. Ta bëjmë të dielën ditë paqes dhe dashnisë për popullin e Kosovës. LDK është e madhe. Ky tubim tregon se populli e do stabilitetin, zhvillimin e qetësinë politike në Kosovë”, ka thënë Haziri.
Gjilani garon në zgjedhjet e 14 shkurtit me më të mirët:
Lirije Kajtazi – 6
Imet Rrahmani – 20
Valentina Bunjaku-Rexhepi – 21
Faton Bislimi – 43
Ramiz Ramadani – 80
Avdi Pireva – 68
Ajet Avdyli – 83