Që nga fillimi i pandemisë Covid-19, mbajtja e maskave mbrojtëse edhe në vendet publike ishte e obligueshme për qytetarët, derisa Qeveria Hoti shfuqizoi këtë vendim, për të cilin nuk janë njoftuar qytetarët, madje as policia e cila edhe sot vazhdon të gjobis qytetarët për mosrespektim të kësaj mase antiCovid 19.
Prej muajit shtator, me shfuqizimin e Vendimit të qeverisë Nr. 01/17 që mbanë datën 28.07.2020 maska nuk ka qenë obligim për qytetarët. Ky vendim është shfuqizuar me Vendimin Nr.01/32 të datës 25.09.2020 dhe në asnjë vendim pasues mbajtja e maskës në vendet publike nuk u përfshi si masë obligative sipas ligjit, shkruan Periskopi.
Në vendimin e qeverisë Hoti të muajit korrik figuron paragrafi numër tre (3) i cili obligon qytetarët që vendosin maska në vendet publike.
“Obligohen të gjithë banorët e Republikës së Kosovës t’i bartin maskat në fytyrë në të gjitha veprimtaritë jashtë shtëpive/banesave të tyre dhe të mbajnë distancën fizike prej 2 metrash në mjedise të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe obligohen institucionet punëdhënëse të krijojnë kushte që në mjedise pune kjo distancë të aplikohet”, thuhet në paragrafin 3 të Vendimit Nr.01/17 të datës 28.07.2020.
Mirëpo pas dy muajve, vendim i lartcekur është shfuqizuar dhe me këtë, mbajtja e maskave nuk ka qenë obligative për qytetarët.
“Shfuqizohet vendimi nr.01/07 i datës 28 korrik 2020”, thuhet në pikën numër 20 të vendimit të muajit gusht me numër 01/32 të datës 25.09.2020.
Tutje, për 5 muaj maska nuk ka qenë e obliguar me Vendim qeveritar, policia ka vazhduar me shqiptimin e gjobave prej 35 eurosh ndaj qytetarëve, duke zbatuar një masë të paligjshme, shkruan Periskopi.
Me Ligjin Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në Territorin e Republikës së Kosovës, Qeveria u autorizua që të caktojë masa për parandalimin e pandemisë.
Neni 10 i këtij ligji – Masat për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, shprehimisht përcakton: “1. Qeveria miraton strategjinë, programin dhe cakton masat për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e pandemisë COVID-19”.
Derisa Neni 24, paragrafi 5 përcakton se “Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej tridhjetëepesë (35) euro”.
Periskopi ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të marrë një shifër të saktë, se sa persona janë dënuar për këtë periudhë kohore vetëm për mosmbajtje të maskës, mirëpo Policia nuk i ka ndarë llojet e gjobave.
Nga Policia e Kosovës kanë bërë ditur se prej muajit gusht e deri më tani janë shqiptuar mbi 133 mijë tiketa, një pjesë e të cilave është edhe për mosmbajtje të maskave.
“Policia e Kosovës, të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka, përfshirë angazhimet policore në zbatim të ligjit NR. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, ku në tërë territorin e Republikës së Kosovës nga data – 26.08.2020 deri më datën 14.02.2021 janë shiptuar 133.360 Fletëparaqitje (tiketa), në bazë të ligjit ndaj personave pa dallime për moszbatim të masave ndaj pandemisë Covid-19, ku përfshihen edhe gjobat ndaj subjekteve politike.”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Ndryshe, për mos mbajtje të maskave ka pasur edhe konflikte fizike mes policisë dhe qytetarëve, për të cilat Periskopi ka raportuar ekskluzivisht.