Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media ka thënë se kanë marrë 78.51% të votave nga diaspora.
LVV falënderon të gjithë votuesit nga jashtë.
“78.51% të votave nga mërgata janë për Lëvizjen VETËVENDOSJE! Në mënyrë plebishitare bashkatdhetarët tanë, me besim e përkushtim, në referendumin e 14 shkurtit janë deklaruar se janë për ndryshime në vend. Falënderime të përzemërta për mërgatën, për të gjithë ata që aplikuan por nuk mbërritën të regjistrohen, ata që pavarësisht afatit të shkurtër dërguan fletëvotimet, ata që pavarësisht vështirësive na votuan dhe na dhanë mbështetje”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Tutje, LVV thotë se qeveria e re e drejtuar nga Albin Kurti, do të kujdeset për të gjithë mërgimtarët.
“Qeveria e re, e drejtuar nga kryeministri në ardhje Albin Kurti, do të kujdeset që ata të mos kenë më pengesa në ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar. Krejt dhe Drejt, sepse siç e pamë bashkë mund t’i jetësojmë aspiratat tona për një Kosovë më mirë, më të drejtë, e të zhvilluar çfarë e dëshirojmë si qytetarë të kësaj Republike”, vijon njoftimi.
Ndryshe, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimi i 56 mijë e 368 votave nga diaspora. Sipas të dhënave nga QNR rezultatet e votave të numëruara nga diaspora janë si më poshtë:
LVV – 44,252 vota
PDK – 5,032 vota
LDK – 4,287 vota
KQZ pritet të shpall nesër rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.