Drita ka triumfuar sërish në derbin e qytetit ndaj Gjilanit dhe ka rimarrë kreun e tabelës në Superligën e Kosovës. Hamdi Namani dhe Ardian Limani ishin autorët që ngjyrosën derbin me ngjyrat ‘bardhekaltër’ dhe i dhanë një ‘leksion’ të mirë skuadrës së Gjilanit.
Trajneri i mirënjohur kosovar, Ismet Munishi e lavdëroi lojën e zhvilluar nga Drita e cila sipas tij ishte dominuese.
“Drita sot ishte me të vërtet skuadra që e dominoi derbin. Ishin më konkrete në portën e kundërshtarit. Krijuan raste, iu shkuan të gjitha gjërat. Shkuan në pushim me epërsi të mirë dhe në asnjë moment nuk lejuan që loja të iu del nga dora. Duhet veçuar një ndeshje të mirë të kapitenit Limani, Fazliu, Haxhimusa ishin të mirë sot. Normalisht Cuculi avash avash po e kap formën. Të gjithë lojtarët ishin në elementin e tyre më të mirë”, tha Munishi.
Drita vazhdon të kryesojë renditjen tabelare në Superligë me 53 pikë, ndërkohë në xhiron e radhës udhëton në Suharekë për t’u përballur me Ballkanin.