Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka komentuar hapjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael, teksa ka hedhur kritika në adesë të qeverisë në ikje dhe të asaj në ardhje.
Sipas Hoxhajt dy qeveritë nuk patën guxim e as vendosmëri për të shënuar hapjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael. Reagimi i tij i plotë:
Një qeveri në shkuarje dhe një qeveri në ardhje nuk patën guxim, as vendosmëri dhe përvojë për të shënuar hapjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael duke i lënë një shije të hidhur të gjithë procesit të njohjes ndërmjet dy vendeve tona.
Për disa javë, autoritetet e larta të Shtetit të Izraelit kanë pritur zyrtarisht koalicionin qeverisës dhe koalicionin fitues të zgjedhjeve për ta hapur ambasadën në Jeruzalem, por askush nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen. Asnjëri nga zyrtarët e këtyre dy koalicioneve, nuk është përgjigjur në letrat dhe thirrjet telefonike lidhur me këtë proces. Përkundrazi, të frikësuar, në panik dhe të papërgjegjshëm i kanë ikur pjesëmarrjes për një njohje shumë të rëndësishme të Kosovës. Kanë braktisur rolin e tyre kushtetues dhe politik që u takon për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e shtetit tonë.
Dykuptimësia e dobëson Kosovën kurse qartësia strategjike e rrit kredibilitetin e saj ndërkombëtar. Duke besuar se të tilla situata nuk do të përsëriten në të ardhmen, falendëroj SHBA-të dhe Izraelin për njohjen dhe fillimin e një kapitulli të ri ndërmjet shteteve, popujve dhe ekonomive tona.