Kampionia në fuqi dhe liderja e Superligës , Drita, ia ka dalë që të kalojë me sukses tri ndeshjet derbi që i pati në tri javët e fundit. Nga nëntë pikët e mundshme, “Intelektualët” morën shtatë, duke e ruajtur pozitën e parë.
Fillimisht Drita mposhti Feronikelin si mysafire, 1:0, me golin e Festim Alidemës në kohë shtesë. Më pas triumfoi në derbin lokal ndaj Gjilanit me golat e Hamdi Namanit dhe kapitenit Ardian Limani, kurse së fundi barazoi me Ballkanin në Suharekë, pa gola, të dielën. Drita është dy pikë larg vendit të dytë që mban Ballkani.
Kapiteni Ardian Limani, pohon se janë të kënaqur me pikët e fituara në ndeshjet e fundit. Megjithatë, sipas tij, Drita ka synuar nëntë pikë në tri ndeshjet e vështira që ka pasur.
“Nëse shohim 3-4 ndeshjet e fundit, ne kemi rikthyer formën tonë më të mirë. Tri ndeshjet e fundit i kemi pasur shumë të vështira dhe kemi marrë shtatë pikë, me të cilat jemi të kënaqur, ani pse kemi synuar nëntë pikë”, tha Limani.
Drita ndeshjet ndaj rivalëve për titull, Ballkanit dhe Prishtinës, në fazën e fundit do t’i luajë si vendëse. Po ashtu në Gjilan do ta presë edhe Feronikelin, si dhe do të takohet me Gjilanin në cilësinë e mysafires, por të dyja ekipet luajnë në të njëjtin stadium.
Kapiteni Limani shton se ndeshjet ndaj rivalëve kryesorë për titulli, Ballkanit dhe Prishtinës si vendës, janë përparësi për ekipin e Dritës. Sipas tij, pandemia dhe mungesa e tifozëve po e bëjnë të veten.
“Në periudhën e pandemisë nuk është se po luan rol të madh terreni vendës. Neve na mungojnë shumë tifozët, por gjithsesi një përparësi sado e vogël mbetet përsëri terreni vendës”, u shpreh Limani, i cili foli edhe për presionin, duke theksuar se janë kampion edhe në atë aspekt.
“Presioni do të jetë gjithmonë i pranishëm te të gjitha skuadrat, mirëpo mendoj që ne jemi kampion në menaxhimin e presionit. Presioni e bën edhe më interesant garën për titull”.
Mbrojtësi i ekipit nga Gjilani beson fuqishëm se Drita do ta mbrojë titullin e kampionit. Limani i ka fituar dy tituj të kampionit me Dritën. Ai ka edhe një titull me Feronikelin.
“Tani jemi në formë të mirë, kemi skuadër të fortë, kemi mentalitet shumë të fortë, si dhe kryesi që na rri afër gjithmonë, në humbje dhe në fitore. Të gjitha këto na bëjnë që të besojmë fuqishëm që ta mbrojmë titullin”, theksoi Limani.
Drita ka 54 pikë. 16 fitore, gjashtë barazime dhe tri humbje është bilanci i Dritës. Ka sulmin e tretë më të mirë në ligë me 38 gola, si dhe mbrojtjen e dytë më të mirë, duke pranuar 18 gola, një më shumë se Prishtina. Në tre vjetët e fundit Drita ka fituar dy tituj kampioni dhe është paraqitur në garat evropiane. Është skuadra e parë që ka arritur deri në fazën e tretë kualifikuese të Ligës së Evropës.
“Rezultatet në tre derbit e fundit janë shumë të mira, duke marrë për bazë kundërshtarët që kishim. Nuk kemi qenë në presion, është normale që të mos i fitosh të gjitha ndeshjet. Tani është më ndryshe pasi jemi pa shikues dhe çdo ndeshje është sikur në fushë neutrale. Kemi skuadër me përvojë dhe besoj se në fund do ta arrijmë titullin edhe pse mendoj se do të jetë shumë vështirë, pasi edhe rivalët janë shumë të fortë”, ka theksuar sulmuesi i Dritës, Kastriot Rexha.