“Me 16 mars janë bërë 17 vjet që ka ndodhur tragjedia në familjet tona dhe nga versioni që ne e kemi dëgjuar nga i shpëtuari Fitim Veseli e kemi kuptuar se fëmijët kanë qenë në ndjekje nga disa serbë”, ka thënë për Albanian Post, babai i Egzon Deliut, 13 vjeçarit që ishte mbytur në lumin Ibër në vitin 2004.
Zaim Deliu sa herë që kalon afër lumit Ibër e kujton me dhimbje ditën kur i biri i tij dhe dy fëmijët e tjerë humbën jetën.
Ai ka rrëfyer për Albanian Post se si e kishte kuptuar që njëri nga fëmijët e mbytur ka qenë edhe djali i tij.
“Oh u mbytën. u mbyten”
Ishte në qetësinë e shtëpisë së tij kur thotë se dëgjoi dy britma shoqëruar me klithma vajtuese.
“Oh u mbytën, u mbytën”.
Ai, instinktivisht, kishte vrapuar në drejtim të djalit, i cili, kujton Deliu “ishte duke lozur”.
Gjatë rrugës një bashkëfshatar e kishte ndalur dhe treguar ngjarjen e ndodhur, por përveç ndjenjës shqetësuese, ende s’e dinte se bëhej fjalë pikërisht për djalin e tij – Egzonin.
“Me vrap kam shkuar në vendin e ngjarjes, por kur kam shkuar atje lumi ka qenë shumë i tendosur”, kujton Zaimi.
“Kur e kuptova se njëri prej atyre fëmijëve është edhe djali im, mendimi i parë që më ka ardhur në mendje ka qenë se ‘kurrë nuk do të mund t’ia gjejë kufomën’”.
Kufoma e Egzonit u gjet po atë ditë, bashkë edhe me kufomën e Avniut 11 vjeçar, djalit të Sheremet Veselit.
Për trupin e pajetë të Florentit nëntë vjeçar, djalit të Çerkin Veselit, u deshën disa ditë kërkime.
“Egzonin e kam pas djalë pas shtatë vajzave”, thotë Zaimi, prandaj “ka qenë moment tepër i rëndë për mua”.
Pesha e dhimbjes për Zaimin rëndohet edhe më shumë, meqë as pas 17 vjetësh ende nuk ka një version zyrtar për rastin e ndodhur.
“Ne jemi shqiptarë që me shekuj kemi përjetuar tragjedi nga i njëjti armik dhe nëse Gjyqi Ndërkombëtar do na trajtonte si popull të barabartë, atëherë me siguri që ky rast dhe çdo rast tjetër do të ishte zbardhur”, thotë ai.
Në kohën kur tre fëmijët u mbyten në lum, “institucionet e Kosovës nuk kanë funksionuar”, thotë Deliu, “atëherë ka qenë UNMIK-u”.
Rastin familjet e viktimave ia kishin dorëzuar avokatit Tomë Gashi, i cili, sipas Deliut, pati thënë se “do të ankohet deri në Kombet e Bashkuara”.
“Dorasit kurrë nuk janë zbardhur se kush janë dhe ne kemi mbetur kështu në pritje edhe pse ka qenë e mundur zbardhja e këtij rasti por nuk kanë dashur, sepse në atë kohë ka qenë UNMIK-u dhe dihet se kë e ka ledhatuar UNMIK-u atëherë prandaj edhe janë munduar ta humbin rastin”, ka thënë Deliu.
Ndërsa Tomë Gashi, avokat i familjeve të viktimave ka thënë për Albanian Post se raporti i nxjerrë nga prokurori amerikan vërteton që arsyeja e vetme ka qenë përndjekja e fëmijëve nga disa serbë të cilët ende nuk janë identifikuar.
“Sipas hetimeve të bëra nga prokurori amerikan janë identifikuar faktet të cilat janë ngritë që faktikisht kemi të bëjmë me vrasje të këtyre fëmijëve të cilët kanë qenë të përndjekur. Nuk dihet nga kush, sepse herë thuhet që janë përndjekur nga bashkëmoshatarët e tyre e herë edhe nga persona më të vjetër por deri më tani nuk janë identifikuar identitetet e tyre”, ka thënë Gashi.
Kjo ngjarje, epilogu i të cilës ende nuk dihet, u kishte paraprirë edhe ngjarjeve të mëvonshme, që tashmë njihen si Trazirat e Marsit.
Historiku i 17 marsit, 2004
Me 17 mars të vitit 2004 filluan protestat që më vonë u quajtën edhe Trazirat e Marsit ngase zgjatën dy ditë dhe mbetën të vrarë 19 persona dhe mbi 900 të tjerë të lënduar.
Trazirat shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur tre fëmijë shqiptarë dhe në vdekjen e tyre ishin të përfshirë disa serbë.
Gjatë trazirave u dogjën disa shtëpi dhe kisha serbe. Serbët më pas, në shenjë hakmarrje dogjën shtëpi të shqiptarëve në Veri dhe disa xhamive në Serbi.
Këto trazira në të cilat llogaritet se kanë qenë të përfshirë rreth 51 mijë njerëz në tërë Kosovën, kanë lënë më shumë se katër mijë të zhvendosur e qindra prona të shkatërruara.