Sot nga ora 18:00 deri në orën 19:00, do të mbahet një manifestim i heshtur përkujtimor për Sebahate Morinën, gruan 44-vjeçare që dyshohet se u vra nga bashkëshkorti i saj, Lulzim Sopi, të dielën e 14 marsit në lagjen Kalabria në Prishtinë.
Këtë e ka bërë të ditur, Erza Kurti, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan Reporteri.net.
Në njoftim thuhet se me anë të këtij manifestimi do të kërkohet llogaridhënie nga Policia e Kosovës, Prokurori i Shteti dhe Qeveria e Kosovës, që sipas tyre, si zinxhir institucional po dështojnë t’i mbrojnë gratë nga pandemia e femicidit në shoqërinë tonë.
Po ashtu bëhet thirrje tek qytetarët që t’i bashkohen këtij manifestimi.
Ju ftojmë të na bashkoheni sonte (e enjte) prej orës 18:00 deri në ora 19:00 para ndërtesës së Qeverisë ose nëpër ballkonet tuaja, për të shprehur pikëllimin dhe mllefin duke ndezur qirinj dhe vendosur lule në kujtim të Sebahate Morinës, por edhe për të kërkuar llogaridhënie nga Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit dhe Qeveria e Kosovës që si zinxhir institucional po dështojnë t’i mbrojnë gratë nga pandemia e femicidit në shoqërinë tonë.
Kujtojmë se gruaja e vrarë, Sebahate Morina, raportohet se kishte denocuar disa herë bashkëshortin e saj në Polici, për ushtrim të dhunës në familje.
Madje, 11 ditë para vrasjes, Lulzim Sopi ishte denocnuar në Polici nga vajza e tij për ushtrim të dhunës ndaj Sebahates.
Sopi në vitin 2019 kishte qenë në paraburgim për këtë vepër, ndërsa Morina kishte pasur urdhër mbrojtës nga ish-bashkëshorti i saj deri në dhjetor të vitit 2020.
Rastet e dhunës në familje janë shtuar shumë, sidomos gjatë kohës së pandemisë, ku sipas të dhënave që paraqiten, thuhet se vetëm në 11 muajt e parë të vitit 2020, janë raportuar 2 mijë raste të dhunës më shumë se vitet e kaluara.
Njoftimi i plotë i Erza Kurtit nga RrGK:
Asnjë Ma Shumë: Kujtojmë Sebahate Morinën
Sonte (e enjte, 18 mars)
Ora: 18:00-19:00
Vendi: Sheshi Skënderbe, para Qeverisë së Kosovës | Gjithandej
Ju ftojmë të merrni pjesë në një manifestim të heshtur përkujtimor për Sebahate Morinën, 44 vjeçaren, të cilën më 14 mars në Prishtinë e vrau Lulzim Sopi, ish-bashkëshorti i saj.
Vrasja e Sebahate Morinës dhe vrasjet tjera të grave, nuk janë incidente, por raste të femicidit dhe kulmimit të dhunës sistemike ndaj vajzave dhe grave në Kosovë. Sebahatja u vra sepse ishte grua.
Si në rastet e mëparshme në të cilat viktimat i kishin denoncuar vrasësit e tyre për ushtrim të dhunës paraprakisht – edhe vrasja e Sebahate Morinës ishte e parandalueshme.
11 ditë para se Lulzim Sopi ta vriste Sebahaten, e bija e saj kishte denoncuar Lulzim Sopin për ushtrim të dhunës fizike ndaj Sebahates. Për më shumë, sipas hulumtimit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), kjo nuk ishte hera e parë që Lulzim Sopi ishte denoncuar për dhunë në familje. Në vitin 2019 ai kishte qenë në paraburgim për këtë vepër, ndërsa Sebahatja kishte pasur urdhër mbrojtës nga ish-bashkëshorti i saj deri në dhjetor të vitit 2020.
Këto fakte, që tregojnë një histori të dhunës së ushtruar nga dorasi ndaj viktimës, do të duhej të ishin të mjaftueshme që Prokuroria e Shtetit të ndërmerrte veprime për mbrojtjen e jetës së Sebahates dhe ndjekjes së veprës penale të dhunës në familje.
Në vend të kësaj, Prokurori i Shtetit është arsyetuar se Sebahatja nuk ka shprehur gatishmëri për vazhdim të rastit dhe ka refuzuar të vijë për një intervistë të dytë sqaruese.
Sot, përkundër përpjekjeve për t’i ikur përgjegjësisë përmes fajësimit të viktimës, duke u thirrur në atë se Sebahate Morina nuk e kishte raportuar vet rastin në polici dhe nuk kishte kërkuar ndihmë mjekësore gjatë intervistimit, faji për dështimin për të mbrojtur atë bie kryekput mbi Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kur nuk arriti t’ia shpëtojë jetën të ndjerës dhe ta zbatojë Kushtetutën e Kosovës, e cila e mbron të drejtën për jetë për secilin qytetar të Kosovës.
Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 dhe për shkak të masave parandaluese që kanë mbyllur viktimat me dhunuesit e tyre, në Kosovë kemi parë një rritje masive të rasteve të raportuara të dhunës në familje. Vetëm gjatë 11 muajve të parë të vitit 2020, janë raportuar 2,000 raste më shumë se në vitin 2019.
EDHE SA THIRRJE TË HUMBURA?
Ne themi,
ASNJË MA SHUMË.
Ju ftojmë të na bashkoheni sonte (e enjte) prej orës 18:00 deri në ora 19:00 para ndërtesës së Qeverisë ose nëpër ballkonet tuaja, për të shprehur pikëllimin dhe mllefin duke ndezur qirinj dhe vendosur lule në kujtim të Sebahate Morinës, por edhe për të kërkuar llogaridhënie nga Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit dhe Qeveria e Kosovës që si zinxhir institucional po dështojnë t’i mbrojnë gratë nga pandemia e femicidit në shoqërinë tonë.
Për të shmangur grumbullimet, ftoheni të përkujtoni Sebahaten dhe të mos qëndroni më shumë se disa minuta. Ju lusim t’i respektoni rregullat e distancimit social dhe të mbani maskë në përputhje me rekomandimet e IKSHPK dhe të Ministrisë së Shëndetësisë.
#Asnjëmashumë
Fotografitë: Atdhe Mulla