Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK) njoftoi të hënën se 917 pacientë po trajtohen në klinikat dhe spitalet e Kosovës. Prej këtij numri, 753 pacientë janë të konfirmuar me koronavirus dhe 78 po presin rezultatet.
Siç njofton SHSKUK, 33 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërkaq 704 po trajtohen me oksigjeno-terapi.
Në Kosovë, personat e infektuar me koronavirus, trajtohen në disa klinika të Qendrës Klinike Universitare dhe në shtatë spitale rajonale.
Sipas raportit ditor, Spitali i Prizrenit ka më së shumti pacientë, përkatësisht aty trajtim po marrrin 133 persona. Ndërkaq, sa i përket klinikave të QKUK-së, Klinika Infektive ka numrin më të lartë të pacientëve të shtrirë, përkatësisht 119 pacientë.
Të dielën, më 28 mars, në Kosovë arriti kontingjenti i parë i vaksinës kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZeneca. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se 24.000 dozat e vaksinës do të përdoren fillimisht për të vaksinuar punëtorët shëndetësorë të Klinikës Infektive. Ai tha se fushata e imunizimit do të nisë gjatë kësaj jave.
Sipas një Plani për vaksinim, që është i ndarë në tri faza, Kosova planifikon që fillimisht të vaksinojë punëtorët shëndetësorë, personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike.
Prej 13 marsit të vitit 2020, e deri më 28 mars, 2021, Kosova ka regjistruar 87.981 raste me sëmundjen COVID-19. Prej tyre, 1.840 raste kanë përfunduar me fatalitet.